Lidhje

SHBA: Beteja politike për kontrollin e Senatit


Ndërsa kanë mbetur vetëm dy javë nga zgjedhjet për në Kongresin amerikan, një numër garash në mbarë vendin do të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë Senatin vitin e ardhshëm, ndoshta duke e ndryshuar balancën e pushtetit në Washington. Një prej këtyre garave të rëndësishme mbahet në Karolinën e Veriut, ku po zhvillohet një betejë e ashpër për vendin e senatores demokrate, Kay Hagan.

Aktivistë nga të dyja palët e politikës kanë dalë nëpër rrugët e Karolinës së Veriut.

Demokratët kanë dalë për rizgjedhjen e Senatores Kay Hagan, ndërsa republikanët bëjnë fushatë në emër të rivalit të saj, Thom Tillis.

Mes përkrahësve të senatores Hagan është Melissa Reed e grupit “Planned Parenthood”,”Planifikim familjar”

“Kjo është ndoshta gara më e rëndësishme e vendit për në Senat. Kontrolli i Senatit varet nga tre vende dhe Karolina e Veriut është në krye.”

Zonja Reed kundërshton përpjekjet e republikanëve për të kufizuar abortin.

“Gratë mendojnë se politikat republikane janë jashtë realitetit dhe se ato kanë ngecur tek e kaluara. Prandaj dhe ne jemi veshur sot sipas modës së viteve 1950.”

Protestuesit kundër abortit bëjnë më të mirën, në përpjekje për të siguruar mbështetje për kandidatin Tillis.

Tami Fitzgerald thotë se në se numri i votuesve konservatorë është i madh, zgjedhjet mund t’i fitojë republikani Tillis.

"Shumica e njerëzve në këtë shtet janë kundër abortit, rreth 55 për qind e tyre. Dhe sidomos mes votuesve konservatorë të shtetit, kjo shifër është më e lartë, 70 për qind.”

Kandidati republikan Tillis po bën ç’është e mundur për ta lidhur senatoren Hagan me Presidentin Obama dhe me shifrën e ulët të miratimit për të.

“Njerëzit e dinë se Senatorja Hagan ka votuar si Presidenti Obama në 96 për qind të rasteve.”

Senatorja Hagan, ashtu sikurse shumë demokratë, dëshiron të kandidojë bazuar tek arritjet e veta.

“Ai do që t’i lidhë këto votime me Presidentin. Por emri i Presidentit nuk është në fletën e votimit. Këto zgjedhje kanë të bëjnë me personin që do të përfaqësojë shtetin e Karolinës së Veriut në Senat.”

Analisti John Davis thotë se, do apo nuk do, Presidenti po luan një rol në garën e Karolinës së Veriut.

“Tani mbështetja për Presidentin ka rënë në nivelin 40 për qind. Përsa i përket mbështetjes për politikën e jashtme kjo shifër është mbi 30 për qind. Pra, në se je republikan, ky është momenti i duhur, për ta lidhur kundërshtarin me Presidentin. Kjo është e rëndësishme në zgjedhjet e mesit të mandatit për në Kongres.”

Kandidati i Partisë Libertariane, Sean Haugh, mund të bëhet faktor në një garë të ngushtë.

“Unë personalisht do të doja të shkoja në qendrën e votimit nëntor, sepse mund të votoj për diçka tjetër, veç luftës dhe borxhit.”

Fushata është intensifikuar, ndërsa të dyja palët janë të ndërgjegjshme për rëndësinë që kjo garë ka për Senatin.

XS
SM
MD
LG