Lidhje

Siria, ligjvënësit debatojnë


Të dhënat e shërbimeve amerikane të zbulimit lidhur me Sirinë që iu paraqitën me dyer të mbyllura senatorëve kanë forcuar bindjen e atyre që mbështesnin idenë e një sulmi ushtarak kundër Sirisë, por nuk kanë arritur të ndryshojnë qëndrimin e senatorëve të lëkundur. Ende nuk është e qartë se si do të votohet në seancën e plotë të senatit, votim që pritet javën e ardhshme.

Duke dalë nga seanca, Kryetarja e Komisionit të Senatit për Shërbimet e Zbulimit Dianne Feinstein tha se provat se janë përdorur armë kimike në Siri janë bindëse.

"Për këtë nuk ka dyshim," tha zonja Feinstein.

Ajo tha se dëshmitë e tanishme janë më bindëse se provat që iu paraqitën ligjvënësve para ndërhyrjes së vitit 2003 në Irak.

Por senatorë të tjerë nuk shprehën mbështetje për rezolutën as para, as pas seancës së informimit, siç ishte republikania Susan Collins, e cila thotë se nuk ka vendosur se si do të votojë.

Susan Collins, senatore republikane:

"Jam shumë e shqetësuar se SHBA mund të përfshihen më thellë në një luftë civile në Siri. Të gjithë ne jemi të tmerruar nga sulmi me armë kimike kundër fëmijëve. Por mua më tmerron gjithashtu fakti se shumë fëmijë të tjerë kanë vdekur, 100 mijë sirianë janë vrarë në këtë konflikt deri tani. Më shumë se dy milionë janë kthyer në refugjatë. Pra ky është një problem më i gjerë prandaj administrata duhet të shprehet qartë me një strategji më të gjerë. Për këtë arsye unë nuk kam marrë ende një vendim se si do të votoj. Ende kam pikëpyetje lidhur me urtësinë e veprimeve që mendon të ndërmarrë presidenti," tha senatorja Collins.

Senatorja demokrate Barbara Mikulski tha se nuk ishte gati të votonte pro rezolutës.

Barbara Mikulski, senatore demokrate:
"Unë kam më shumë pyetje se sa përgjigje lidhur me një goditje ushtarake," tha senatorja Mikulski.

Senati në seancë të rregullt pritet të votojë javën e ardhshme lidhur me rezolutën për autorizimin e sulmit. Rezoluta parashikon sulme për të dëmtuar aftësitë ushtarake të Sirisë, por përjashton dërgimin e forcave tokësore amerikane. Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët po analizon një masë tjetër të ngjashme, por nuk është caktuar ende data për ta hedhur në votë.

Në Dhomën e Përfaqësuesve që kontrollohet nga republikanët, shumica historikisht ka votuar kundër nismave të Presidentit Obama. Por këtë herë ka një ndarje të madhe mes fraksionit më konservator Tea Party, i cili është kundër veprimeve ushtarake dhe anëtarëve më të moderuar, si kryetari i Dhomës, John Boehner dhe udhëheqësi i shumicës, Eric Cantor, të cilët kanë deklaruar se e mbështesin një goditje kundër Sirisë.
XS
SM
MD
LG