Lidhje

SHBA, ligjvënësit diskutojnë mbi krizën në Ukrainë


Një zyrtare e lartë amerikane mbrojti reagimin e administratës së Presidentit Obama ndaj krizës në Ukrainë, dhe premtoi më shumë sanksione kundër Rusisë në qoftë Kievi humb më shumë territore ndaj separatistëve të mbështetur nga Moska. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane, Viktoria Nuland dëshmoi para një komisioni në kongres, ku janë shtuar thirrjet dypartiake për sanksione më të ashpra kundër Rusisë para zgjedhjeve të Ukrainës të planifikuara për më 25 maj.

Durimi i Kongresit ndaj qasjes graduale të presidentit Obama për vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës po venitet. Republikani kryesor në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker, thotë se masat amerikane që kanë në shënjestër rrethin e ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin nuk kanë patur asnjë ndikim mbi Moskën.

"Që nga hyrja në fuqi e sanksioneve të së hënës së kaluar, tregu rus i aksioneve është rritur pothuajse 4 përqind. Ata po qeshin me sanksionet. Ato nuk kanë efekt në sjelljen e Rusisë".

Por, Ndihmës Sekretarja e Shtetit Viktoria Nuland nuk pajtohet me këtë vlerësim.

"Nuk jam dakord me ju, senator, mbi çështjen e ndikimit të sanksioneve. Ekonomia e Rusisë tashmë po tregon se ky model i agresionit territorial nuk do të çojë në një Rusi të fortë, por në një Rusi të falimentuar. Klasifikimi i kreditit të Rusisë është pothuajse negativ. Pesëdhjetë e një miliardë dollarë janë larguar nga kryeqyteti i Rusisë që nga fillimi i vitit".

Senatori Corker është një nga disa republikanët që po bëjnë thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj bankave ruse dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë ruse, diçka që Presidenti Barack Obama nuk e ka përjashtuar në qoftë se kriza në Ukrainë intensifikohet. Në seancën e djeshme të dëgjimit, senatori Corker vazhdimisht pyeti se përse masat e këtij lloji nuk po përdoren për të parandaluar agresionin e mëtejshëm nga Moska. Ndihmës Sekretarja Nuland u përgjigj duke thënë se administrata është duke përgatitur sanksione më të ashpra në koordinim me aleatët amerikanë të NATO-s. Ajo nuk tha se kur apo në çfarë rrethanash do të zbatoheshin këto masa.

Ligjvënësit republikanë nuk janë të vetëm në thirrjet për një përgjigje më të fuqishme të Shteteve të Bashkuara ndaj krizës në Ukrainë. Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, demokrati Robert Menendez, bëri thirrje për dërgimin e përforcimeve ushtarake në vendet anëtare të NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore, dhe për sanksione më të ashpra kundër Rusisë.

"Nuk i frikësohem përdorimit të sanksioneve, sepse unë besoj se ato mund të jenë një mjet i efektshëm i diplomacisë paqësore, qoftë kundër Iranit apo kundër oligarkëve rusë të cilët e kanë bërë Moskën shtëpi të më shumë miliarderëve se në çdo vend tjetër në botë".

Senatori Menendez shtoi se ndihma për Ukrainën duhet të përshpejtohet, duke përfshirë dërgimin e pajisjeve ushtarake amerikane në Kiev si jelekët anti-plumb.

Më pas, i gjithë Senati zhvilloi një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar krizën në Ukrainë dhe përgjigjen e Amerikës.
XS
SM
MD
LG