Lidhje

Senati amerikan do të shqyrtojë një projektligj kundër politikave monetare kineze

  • Michael Bowman

Senati amerikan do të shqyrtojë një projektligj kundër politikave monetare kineze

Senati amerikan do të shqyrtojë një projektligj kundër politikave monetare kineze

Ka kohë që zyrtarët amerikanë ankohen se Kina, me qëllim, mban të ulët vlerën e juanit, si pjesë të një strategjie agresive për promovimin e eksporteve. Ja si shprehet Sekretari i Thesarit Timothy Geithner:

“Politika kineze e këmbimit të valutës është e padrejtë dhe dëmton interesat e prodhuesve amerikanë”.

Një ligj i mbështetur nga të dyja partitë në Senat e trajton manipulimin e monedhës si ndërhyrje e një qeverie të huaj në ndihmë të industrisë, duke mundësuar kështu vendosjen e tarifave shtesë mbi prodhimet kineze. Senatori demokrat i Nju Jorkut, Charles Schumer, është një nga mbështetësit e Ligjit mbi Reformën e Trajtimit të Vlerave të Këmbimit Monetar.

“Kina ndihmon në mënyrë të paligjshme industritë e veta. Ata paguajnë më pak seç duhet forcën punëtore. Ata anashkalojnë regullat mbi mjedisin dhe injorojnë parimet e tregtisë globale njëra pas tjetrës. Kina nuk ndesh në pasoja për këto politika që përbëjnë vrasje ekonomike”.

Zoti Schumer thotë se politikat monetare të Kinës u kanë kushtuar Shteteve të Bashkuara humbjen e më shumë se 2 milionë vendeve pune, në dekadën e fundit.

Një tjetër mbështetës i këtij ligji është senatori republikan i Alabamës, Jeff Sessions, i cili thotë se ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të mbrojnë interesat e veta.

“Gjatë kësaj kohe të vështirë ekonomike, ne nuk duhet të lejojmë asnjë nga partnerët tanë tregtarë të shkelin ‘rregullat e lojës’ në favor të tyre. Është detyrë e zyrtarëve amerikanë të mbrojnë interesat e drejta dhe themelore të forcës punëtore amerikane”.

Disa biznese amerikane, në vështirësi përballë konkurrencën kineze, e mirëpresin ligjin. Por 50 grupe tregtare, që përfaqësojnë shumë prej industrive më të rëndësishme eksportuese, i kanë shkruar një letër Senatit duke thënë se ky ligj do të shkaktonte një reagim të dëmshëm të Kinës dhe prandaj nuk duhet miratuar.

Eksperti i tregtisë Dan Ikenson i Institutit Cato, me qendër në Uashington, është i të njëjtit mendim.

“Nëse veprojmë në mënyrë të njëanshme, ne rrezikojmë eksportet amerikane në Kinë dhe vendet e punës të lidhura me to.”

Zoti Ikenson thotë se ka shumë mundësi që Organizata Botërore e Tregëtisë ta hedhë poshtë ofertën e Shteteve të Bashkuara për të trajtuar manipulimet monetare si subvencion ekonomik. Për më tepër, thotë ai, projektligji në Senat tregon një keqinterpretim thelbësor të tregut në një ekonomi botërore të globalizuar dhe të ndërvarur.

“Më parë kishim prodhuesit tanë kundër prodhuesve të tyre. Por tani kemi globalizimin, ne importojmë shumë produkte që montohen në Kinë. Pra manipulimi i valutës ndikon në mënyra të ndryshme”.

Analisti Ikenson paralajmëron mbi rrezikun e sabotimit të një tregu eksporti kaq të gjerë dhe me fitime në rritje për Shtetet e Bashkuara, siç e theksoi edhe Sekretari Amerikan i Thesarit Thimothy Geithner, kur raportoi para Kongresit vitin e kaluar.

“Kina, tashmë, po konsumon dhe po importon më tepër prej Shteteve të Bashkuara. Si rrjedhojë, teprica e suficitit tregtar kinez është zvogëluar ndjeshëm. Eksportet amerikane në Kinë e kanë marrë veten mjaft më shpejt se sa eksportet amerikane në pjesën tjetër të botës”.

Administrata e Presidentit Obama thotë se monedha kineze vazhdon të qëndrojë e nënvlerësuar, por nuk e ka mbështetur projektligjin. Zyrtarët kinezë shprehen kundër polititizimit të çështjeve tregtare dhe theksojnë se në fakt juani ka patur një vlerësim gradual në rritje që nga viti 2005.

Ajo rritje e ngadaltë e vlerës së monedhës kineze nuk duket se po i kënaq ligjvënësit amerikanë. Me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2012, disa prej tyre duken të gatshëm për të gjetur fajtorë mbi të cilët të hedhin barrën e problemeve ekonomike amerikane. Edhe nëse projektligji miratohet në Senatin me shumicë demokrate, dekretimi i tij në ligj nuk duket aspak i lehtë. Dhoma e përfaqësuesve, me shumicë republikane, nuk ka dhënë shenja se do ta hedhë për diskutim projekt-ligjin.

XS
SM
MD
LG