Lidhje

Senati heton ndikimin e vdekjes së Bin Ladenit te lufta në Afganistan

  • Majkëll Bouman

Senati heton ndikimin e vdekjes së Bin Ladenit te lufta në Afganistan

Senati heton ndikimin e vdekjes së Bin Ladenit te lufta në Afganistan

Senati amerikan ka votuar njëzëri për të lavdëruar forcat amerikane për operacionin e suksesshëm gjatë të cilit u vra udhëheqësi i al-Kaidës, Osama bin Laden, në Pakistan. Vdekja e tij ndodhi ndërkohë që administrata e Presidentit Barak Obama planifikon një tërheqje graduale të trupave amerikane nga Afganistani dhe fundin e luftës më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Në një debat në Senat këtë javë, ligjvënësit amerikanë shqyrtuan ndikimin e asgjësimit të bin Ladenit në misionin e Amerikës në Afganistan. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman, njofton nga Kapitoli.

Kapja ose vrasja e Osama bin Ladenit dhe terroristëve të tjerë ishte qëllimi kryesor i ndërhyrjes në Afganistan nën udhëheqjen amerikane. Duke folur disa ditë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, Presidenti i atëhershëm Xhorxh W. Bush u zotua se Amerika do ta gjente bin Ladenin.

“Unë kërkoj drejtësi. Në perëndim përdorej dikur një afishe që thoshte, me sa mbaj mend, “Kërkohet: Gjallë a Vdekur”.

Gati një dekadë më vonë, dëshira e Presidentit Bush u bë realitet. Por lufta në Afganistan ka vazhduar me vite, edhe shumë kohë pasi talebanët që kishin pushtetin në vend u rrëzuan dhe al-Kaida gjeti vende të tjera, si Jemenin, për të vazhduar veprimtarinë.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Xhon Keri nga Masaçusets, tha se vrasja e bin Ladenit nxjerr në pah zgjedhjet kritike me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara në Afganistan.

“Me vdekjen e bin Ladenit, disa njerëz me siguri pyesin se pse nuk largohemi nga Afganistani. Prandaj, detyrohemi edhe më shumë që të shqyrtojmë me kujdes se çfarë është në rrezik dhe se cila është me të vërtetë sfida e sigurisë për ne”.

Anëtari i komisionit, senatori republikan Riçard Llugër, vuri në dukje shpenzimet e luftës në Afganistan, që tani arrijnë në mbi 100 miliard dollarë në vit. Zoti Llugër vuri në dukje se operacionet amerikane në Afganistan janë shumë më të pakta se përpjekjet kundër terrorizmit në Jemen, pavarësisht nga vlerësimet e zyrtarëve amerikanë se terroristët e strehuar në vendin arab përbëjnë kërcënim më të madh.

Senatori nga Indiana tha se dyshon që Afganistani mund të mbështetet në forca të veta e të bëhet vend i sigurt dhe demokraci e qëndrueshme pa ndikime terroriste. Ai i kërkoi Presidentit Barak Obama të përcaktojë objektivat amerikane për përparim në Afganistan.

“Presidenti Obama duhet të jetë i gatshëm të përcaktojë suksesin në Afganistan bazuar në interesat jetësore të Shteteve të Bashkuara dhe në një analizë të qartë të asaj që mund të arrihet. Puna në Afganistan, kur forcat amerikane të largohen, do të jetë e pakryer. Por presidenti nuk ka përcaktuar se cilat mangësi do të jenë të patolerueshme”.

Dëshmitar në seancë ishte edhe Riçard Has, kryetar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë. Zoti Has tha se përpjekjet amerikane për të degraduar talebanët në Afganistan, ndërsa fuqizojnë forcat afgane të sigurisë nuk kanë gjasa për të prodhuar rezultatet për të cilat shpreson administrata Presidentit Obama.

“Unë jam thellësisht skeptik rreth suksesit të kësaj politike, duke pasur parasysh natyrën e Afganistanit – në veçanti, dobësinë e institucioneve qendrore dhe realitetin se Pakistani do të vazhdojë të ofrojë strehë për talebanët”.

Edhe në qoftë se suksesi afatgjatë në Afganistan është i mundshëm, zoti Has argumenton se burimet e kufizuara ushtarake dhe financiare të Amerikës do të mund të shpenzoheshin më mirë diku tjetër.

“Afganistani nuk përfaqëson një kërcënim të rëndësishëm terrorist për botën dhe sigurisht jo më shumë se disa vende të tjera në rajon, në radhë të parë Pakistani. Afganistani është thjesht dhe qartë një ngatërresë strategjike”.

Zoti Has bëri thirrje për pakësimin e theksuar të operacioneve amerikane në Afganistan, për t’u përqendruar më shumë në një mision të kufizuar kundër terrorizmit sesa në shtetndërtim.

Por ish-zyrtarja e Departamentit të Shtetit, An-Mari Slotër, paralajmëroi senatorët se kufizimi i operacioneve në Afganistan është provuar tashmë dhe ka sjellë pasoja të rënda, që kanë shtyrë Presidentin Obama të rrisë numrin e trupave amerikane atje.

“Ne dëbuam talebanët shumë shpejt dhe kaluam në një strategji të kufizuar kundër terrorizmit. Pas tre apo katër vjetësh, talebanët nisën një kryengritje të gjerë”.

Zonja Slotër tha se mënjanimi i pikave të talebanëve dhe forcimi i qeverisë afgane mund të ndihmojnë për të sjellë deri tek ndonjë marrëveshje për përfundimin e luftës.

“Ne mund të arrijmë këtë nëse kemi një qeveri të qëndrueshme në Afganistan që përfshin një pjesë të talebanëve që nuk ndihmojnë al-Kaidën. Në qoftë se mund të arrijmë një marrëveshje, kjo u shërben interesat tona”.

Disa senatorë shprehën lodhje dhe irritim rreth luftës që pakkush parashihte se do të zgjasë kaq shumë.

Senatori demokrat Riçard Dërbin nga Illinoi:

“Kam votuar për ndërhyrjen në Afganistan. Kam votuar për të luftuar kundër al-Kaidës dhe për të gjetur dhe, nëse është e nevojshme, vrarë Osama bin Ladenin. Tani kanë kaluar gati dhjetë vjet. Po të më kishit pyetur nëse po shkruhesha për luftën më të gjatë në historinë amerikane, së cilës nuk po i duket fundi – edhe pas vrasjes së Osama bin Ladenit – nuk ma ka marrë mendja se po votoja për këtë”.

Ndërsa ka përshëndetur vrasjen e Osama bin Ladenin nga forcat speciale amerikane, administrata e Presidentit Obama nuk ka dhënë shenja se eliminimi i udhëheqësit terrorist do të ndryshojë vitin 2014 si afat të synuar për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.

XS
SM
MD
LG