Lidhje

Presidenti Obama nënshkruan ligjin për shkurtimin e shpenzimeve dhe kufirin e borxhit


Presidenti Obama nënshkruan ligjin për shkurtimin e shpenzimeve dhe kufirin e borxhit
Presidenti Obama nënshkruan ligjin për shkurtimin e shpenzimeve dhe kufirin e borxhit

Firma e presidentit në legjislacion lehtëson atë që mund kishte qënë një krizë shumë e thellë për ekonominë amerikane. Disa minuta pasi Senati miratoi masën me 74 vota pro dhe 26 kundër, zoti Obama u tha gazetarve në Shtepinë e Bardhë se procesi për reduktimin e defiçitit qeveritar ka filluar.

“Ky kompromis garanton më shumë se 2 trilion dollarë në reduktimin e defiçitit. Është një hap i parë i rendësishëm për të siguruar se si një shtet ne jetojmë brenda mundësive tona.”

Ligji i ri i dha mundësi menjëherë Thesarit që të huazojë shumën prej 400 miliard dollarë, me huamarrje të mëtejshme më vonë. Po ashtu, ligji synon të reduktojë defiçitin prej 14.3 trilion dollarësh që ka vendi me të paktën 2.1 trilion dollarë në 10 vite. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjislacionin të henën me një votim prej 269 votash pro dhe 161 kundër, pas disa javë debatesh intensive.

Në bazë të legjislacionit, një komision dy partiak në Kongres do të punojë për të gjetur kursime të mëtejshme në buxhetin federal.

Presidenti tha se marrëveshja kërkon që të dy partitë të punojnë sëbashku për një plan më të madh për të shkurtuar defiçitin e buxhetit federal, për të cilin presidenti tha se është e rëndësishme për suksesin afatgjatë të ekonomisë amerikane.

Zoti Obama tha se plani duhet të përfshijë shkurtime në programet sociale, të cilat kundërshtohen nga shumë demokratë, dhe taksa më të larta, që shumë republikanë i hedhin poshtë. Asnjëri nga variantet nuk u përfshi në kompromis.

“Kjo nënkupton bërjen e disa rregullimeve për të mbrojtur programe të kujdesit shëndetësor si Medicare, që të egzistojnë për gjeneratat që vijnë. Po ashtu nënkupton reformimin e kodit të taksave, në mënyrë që amerikanët e pasur dhe korporatat më të mëdha të paguajnë pjesën që u takon.”

Ligjvënësit po ashtu do të shqyrtojnë një amendament kushtetues që i kërkon qeverisë të balancojë buxhetin. Senatori republikan John Barrosso tha se një amendament i tillë do të parandalonte një tjetër krizë borxhesh.

“Pyetja qendron, a do të jetojmë me të njëjtat rregulla që aplikohen tek çdo familje, tek çdo biznes i vogël dhe 49 shtetet, i cili është se nuk mund të shpenzosh më shumë para nga sa ke.”

Zoti Obama denoncoi me zemërim ligjvënësit për lejimin e debatit të huamarrjes që të zgjaste deri në disa orë para afatit të fundit. Ai tha se një “krizë e prodhuar” në Wahsington ka dëmtuar ekonominë amerikane e cila po përpiqet të rimëkembet.

“Kjo ishte në duart tona. Është e sigurtë se pasiguria rreth rritjes së tavanit të borxhit, si për bizneset dhe konsumatorët, ka qënë shqetësuese dhe një pengesë më shumë për rimëkembjen e plotë që kemi nevojë. Ishte diçka që ne mund ta kishim menjanuar tërësisht.”

Presienti tha se nuk duhet që rreziku i “katastrofës ekonomike” të detyrojë ligjvënësit të punojnë sëbashku dhe bëjnë punën që u takon. Ai tha se prioriteti për Demokratët dhe Republikanët është që të përqendrohen në krijimin e vendeve të reja të punës dhe rigjallërojnë ekonominë amerikane.

Udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi, pranoi se ligjvënësit duhet të kthejnë menjëherë vëmendjen tek rimëkembja ekonomike.

“Dje ne kaluam një urë. Mjaft folëm për borxhet. Ne duhet të diskutojmë rreth vendeve të punës.”

Presidenti Obama i bëri thirrje Kongresit që të miratojë disa projektpropozime për të cilat thotë se do të forcojnë ekonominë, përfshi marrëveshje të tregtisë së lirë me Kolumbinë, Panamanë dhe Korenë e Jugut.

XS
SM
MD
LG