Lidhje

Senatorët reagojnë për Afganistanin

  • Michael Bowman

Ligjvënësit amerikanë reaguan dje ndaj direktivës së Presidentit Obama që ushtria të përgatitet për tërheqje nga Afganistani, nëse nuk finalizohet marrëveshja afat-gjatë e sigurisë me Kabulin. Shumë ligjvënës kërkojnë që në Afganistan të qëndrojë një kontigjent trupash amerikane për operacione stërvitore dhe synime të tjera, por ka të tjerë që thonë se kjo është e pamundur:

Presidenti Obama mori të martën masa për të treguar se administrata është e vendosur në paralajmërimet që ka bërë prej disa muajsh: në mungesë të një marrëveshjeje dypalëshe sigurie mes Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit, të gjitha trupat amerikane do të largohen nga vendi brenda këtij viti.

Senatori republikan Lindsey Graham thotë se e kupton irritimin e Presidentit Obama nga refuzimi i Presidentit afgan për të nënshkruar dokumentin:

"Sa më gjatë që na duhet të presim për marrëveshjen, aq më i vështirë bëhet planifikimi ushtarak.

Senatori Graham thotë se një Afganistan i lënë pa mbështetje do të precipitojë në kaos dhe dhunë të ngjashme me situatën në Irak pas largimit të forcave amerikane. Edhe senatori Johnny Isakson ka të njëjtën pikëpamje:

"Duhet të lëmë një kontigjent në Afganistan. E bëmë gabimin që nuk lamë trupa në Irak. Cfarëdo që të ketë negociuar presidenti, ne lëmë trupa në Afganistan për të mbrojtur interesat tona në atë vend”.

Ligjvënës të tjerë argumentojnë se trupat amerikane kanë qëndruar më gjatë se duhet në Afganistan dhe burimet qeveritare duhet të përdoren tani për nevojat e brendshme.

Senatorja demokrate Jeanne Shaheen thotë se finalizimi i marrëveshjet është në interes të të dyja vendeve. Por ajo shton se Shtetet e Bashkuara mund të mos kenë zgjedhje tjetër përveç tërheqjes së plotë, nëse marrëveshja nuk finalizohet. Ajo thotë se Presidenti Karzai, ose kushdo që mund ta pasojë atë pas zgjedhjeve të sivjetshme, duhet të kuptojë se amerikanët nuk mbështesin angazhime ushtarake ndërkombëtare pa fund kohor.

"Vendi është lodhur nga lufta. Për mbi 10 vjet kemi pasur trupa në zona konflikti. Tani amerikanët duan kthimin e ushtarëve, duan të merren me sfidat në vend”.

Presidenti Karzai ka kundërshtuar taktikat ushtarake amerikane në vendin e tij, veçanërisht bastisjet e banesave afgane. Zëdhënësi i tij Faiq Wahidi përsëriti kërkesat e presidentit:

"Kjo marrëveshje duhet të pasqyrojë dhe të nënkuptojë paqe për popullin afgan,” tha zëdhënësi. “Kur afganët të binden se po përmbushet vullneti i tyre, marrëveshja do të nënshkruhet”.

Ligjvënësit afganë mbështesin me shumicë dërrmuese marrëveshjen dhe shumë kandidatë presidencialë kanë thënë se do ta nënshkruar kur të vijnë në post, nëse zoti Karzai nuk e bën një gjë të tillë.

Për momentin, Senatori Graham po bën thirrje për durim, edhe nëse kjo nënkupton pezullimin e çështjes deri pas zgjedhjes së një udhëheqësi të ri afgan, për të nënshkruar marrëveshjen. Por ai paralajmëron: ‘sa më gjatë të presim, aq më e vështirë do të jetë’.
XS
SM
MD
LG