Lidhje

Senatorët amerikanë bëjnë thirrje për ndërhyrje në Libi

  • Majkëll Bouman

Senatorët amerikanë bëjnë thirrje për ndërhyrje në Libi

Senatorët amerikanë bëjnë thirrje për ndërhyrje në Libi

Dy senatorë të mirënjohur amerikanë po i bëjnë thirrje administratës së Presidentit Obama që të njohë opozitën e Libisë, siç ka vepruar Franca, dhe të vendosë një ndalim fluturimi për të ndihmuar kryengritësit që po ndeshen me forcat e Muamer Gadafit. Siç na njeh materiali në vijim, senatorët paraqitën të hënën një rezolutë që u bën thirrje Shteteve të Bashkuara të ndërhyjnë sa më parë në Libi.

Senatori republikan Xhon Mekejn i Arizonës thotë se situata në Libi po bëhet gjithnjë e më e zymtë.

“Në këtë çast, kundërshtarët e kolonel Gadafit dhe mbështetësit e tij janë duke luftuar për mbijetesë. Gadafi ka nisur një fushatë të egër dhune kundër popullit të Libisë, përfshi civilët që nuk kanë marrë pjesë në luftime, duke përdorur çdo mjet në dispozicion.”

Forcat besnike ndaj udhëheqësit libian kanë ndërmarrë në vazhdimësi një mësymje kundër qyteteve të kontrolluara nga kryengritësit në lindje të vendit. Gjatë javës së kaluar, kryengritësit që po përparonin drejt perëndimit u zbrapsën për rreth 200 kilometra.

Duke folur në Senat, zoti Mekejn tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të rrinë mënjanë dhe të shikojnë se si zoti Gadafi rimerr kontrollin mbi Libinë.

“Së pari, presidenti [Barak Obama] duhet të njohë këshillin kalimtar kombëtar të Libisë, i cili ka selinë në Bengazi por përfaqëson vendbanimet në të gjithë vendin, si autoritetin e vetëm legjitim për qeverisjen e Libisë, ashtu siç ka bërë Franca. Së dyti, presidenti duhet të marrë hapa të menjëhershëm për të vendosur një ndalim fluturimi mbi Libi me mbështetje ndërkombëtare.”

Të shtunën, Lidhja Arabe miratoi idenë e një zone ndalim-fluturimi dhe tha se do t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të vendosë kufizime të tilla. Shtëpia e Bardhë tha se përshëndet qëndrimin e Lidhjes Arabe, duke thënë se bashkësia ndërkombëtare po dërgon njëzëri një “mesazh të qartë se dhuna në Libi duhet të ndalet”.

Senatori Mekejn tha se ndalim-fluturimi nuk do të mjaftonte për të siguruar humbjen e forcave të kolonel Gadafit, por do t’i mbështeste kryengritësit atëherë kur kanë më shumë nevojë.

“Vetë libianët duan që ta zhvillojnë luftën kundër Gadafit. Por ata duan që ajo të jetë një luftë të drejtë, dhe kështu duhet të mendojmë edhe ne, [Shtetet e Bashkuara].”

Presidenti Obama ka thënë se zoti Gadafi është “në anën e gabuar të historisë”. Udhëheqësi amerikan nuk ka vendosur për ndonjë veprim ushtarak, por po shqyrton akoma mundësinë e një ndalim-fluturimi. Kritikët e ndalim-fluturimit thonë se ky është akt lufte dhe mund të fusë Shtetet e Bashkuara në një tjetër konflikt në botën arabe përkrah forcave, të cilave ende nuk u dihet qartë synimi përfundimtar.

Por, këto argumente hidhen poshtë nga senatori i pavarur Xhozef Liberman nga Kenetikat, i cili gjithashtu sponsoroi rezolutën e propozuar. Zoti Liberman tha se revolucioni anti-totalitar në mbarë Afrikën Veriore nuk duhet lejuar të dështojë në Libi.

“Ekziston rreziku që ajo që po ndodh në Libi është në thelb ndërtimi i një muri, që thotë se ‘ky revolucion demokratik paqësor në botën arabe mbaron këtu’. Se ‘Pranvera Arabe’ mund të jetë duke ndjekur rrugën e ‘Pranverës së Pragës’ së vitit 1968. Ne thjesht nuk mund të lejojmë që ajo të ndodhë.”

Për javë të tëra, dy senatorët kanë kërkuar përgjigje më aktive të Shteteve të Bashkuara ndaj ngjarjeve në Libi. Në Amerikë, dega e ekzekutivit mban përgjegjësinë për zhvillimin e politikës së jashtme. Kongresi mund të kërkojë veprime dhe të këshillojë presidentin për çështjet e jashtme. Nëse miratohet projekt-rezoluta, Senati nuk mund ta detyrojë Presidentin Obama të ndërhyjë në Libi, por mund të shtojë peshë dhe mbështetje politike për çdo vendim që ai mund të marrë në fund të fundit.

XS
SM
MD
LG