Lidhje

Senatori i njohur republikan Richard Lugar humb zgjedhjet paraprake


Senati amerikan po humbet republikanin që ka shërbyer më së gjati dhe një burrë shteti.

Senatori Richard Lugar nga Indiana humbi zgjedhjet paraprake ndaj rivalit të tij republikan Richard Mourdock, i cili ishte mbështetur nga lëvizja konservatore Tea Party.

Senatori Richard Lugar ka udhëtuar pothuaj në gjithë globin dhe puna e tij njihet në Evropë, Azi dhe më gjerë. Pas humbjes ai nuk shprehu keqardhje për karrierën e tij në Senat, e cila do të përfundojë në janar. Ai tha:

“Unë jam krenar për zgjidhjen e problemeve që kemi bërë gjatë gjithë viteve dhe nismave që kemi ndërmarrë për të ndërtuar Indianën dhe për të mbrojtur vendin tonë”.

Një senator me gjashtë mandate dhe republikan i rëndësishëm në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Richard Lugar më së shumti njihet si një nga bashkë-autorët e një programi të vitit 1991 që ndihmoi vendet ish-sovjetike të eliminonin mijëra armë bërthamore.


“Ky ligj ishte fillimi i asaj që ka çuar në çmontimin e mbi 60 për qind të mbushjeve bërthamore nga raketat të cilat ishin të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara dhe shkatërrimin e më shumë se 60 për qind të raketave dhe të strukturat ku ato ishin të vendosura .”

Analisti Thomas Mann thotë se largimi senatorit Lugar do të lërë një boshllëk në Senat. Ai thotë:


“Senati ka humbur një udhëheqës të respektuar të politikës së jashtme dhe ka humbur dikë që nuk është i përfshirë në grindjet politike mes partive”.

Megjithëse ai është një konservator i flaktë, Richard Lugar nuk hezitoi të kritikonte administratën e ish presidentit Bush mbi reagimin e saj ndaj sulmeve terroriste të vitit 2001.

“Ne jemi të shqetësuar rreth terrorizmit, por evolucioni i politikës së sigurisë kombëtare nuk ka mbajtur hapin me kërcënimet. Ne jemi mbështetur kryesisht në opsionet ushtarake dhe qasjet e njëanshme që kanë dobësuar aleancat tona”.

Richard Lugar humbi zgjedhjet paraprake të martën, që do të thotë se ai nuk mund të kandidojë në nëntor.

Kundërshtari i tij, Richard Mourdock, e cilësoi atë si një anëtar të institucioneve politike të Uashingtonit dhe sulmoi vullnetin e senatorit Lugar për të gjetur gjuhën e përbashkët me demokratët.

Një ditë pas humbjes së senatorit Lugar, senatorët demokratë shprehën vlerësimin e tyre për të si një udhëheqës që ka punuar për ndërtimin e konsensusit në një institucion i cili është i paralizuar nga grindjet partiake.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë John Kerry thotë:

“Ai ishte senator serioz, i matur dhe që refuzoi të lejonte që ideologjia dhe politika partiake të ndikonte në përgjegjësitë e tij si senator dhe në nevojën e vendit për njerëz të kompromisit”.

Senatori Lugar thotë se ai shpreson që të mbetet i angazhuar në çështjet botërore dhe të vazhdojë t’i shërbejë vendit.

XS
SM
MD
LG