Lidhje

Ukrainë, seperatistët duan bisedime për armëpushim

  • Daniel Schearf

Udhëheqësi i separatistëve pro-rusë në Ukrainë, Andrei Purgin thotë se është i gatshëm të diskutojë një armëpushim dhe shkëmbimin e të burgosurve në bisedimet e paqes në Minsk.

Raundi i parë përfundoi dje pa shënuar përparim të madh. Por zoti Purgin, udhëheqës i republikës së vetëshpallur në Donetsk, dhe separatistët pro-rusë thonë se janë të gatshëm të mbeten pjesë e Ukrainës, nëse atyre u jepet më shumë autonomi.

Nuk ka patur asnjë reagim zyrtar nga Kievi mbi komentet e udhëheqësit seperatist.

Më parë të hënën, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko akuzoi Rusinë për "agresion të hapur" ndaj vendit të tij.

NATO vlerëson se të paktën 1.000 trupa ruse kanë hyrë në Ukrainë. Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur hyrjen e trupave të saj në Ukrainë.

Një zëdhënës ukrainas i mbrojtjes tha se trupat ukrainase janë urdhëruar të tërhiqen nga aeroporti në afërsi të qytetit të Luhanskut, të kontrolluar nga rebelët, pas një lufte të pasuksesshme kundër një njësie të tankeve ruse.

Ai tha se shtatë ushtarë ukrainas janë vrarë dhe 25 të tjerë janë plagosur që nga e diela.

Autoritetet ukrainase të sigurisë thonë se një kolonë e tankeve ruse mbështeti rebelët separatistë në lindje ndërkohë që ata detyruan forcat qeveritare të largoheshin nga aeroporti Luhanskut.
Zëdhënësi i Këshillit ukrainas të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, koloneli Andriy Lysenko thotë se trupat ukrainase u detyruan të tërhiqen pasi ishin objekt i sulmeve me artileri të rëndë.

Ai thotë se duke gjykuar nga saktësia e sulmeve, bombardimi është kryer nga njësi profesionale të artelerisë nga Federata Ruse. Ai thotë se forcat ruse janë përqëndruara rreth rajonit qendror të Lutuginos dhe po i afrohen qytetit Schastia në bregun e lumit Siverskiy-Donets.

Zëdhënësi ukrainas tha se jo më pak se 1,600 ushtarë rusë po operojnë brenda Ukrainës për të mbështetur rebelët.

Moska thotë se pretendimet e Kievit për prani të trupave ruse në Ukrainë janë një justifikim për të shpjeguar humbjet e tyre ushtarake të kohëve të fundit.

Zëdhënësi Lysenko konfirmoi njoftimet se trupat qeveritare në qytetin Illovysk janë rrethuar, por nuk pranoi të japë hollësi mbi numrin e viktimave.

Një komandant vullnetar i batalionit u citua nga mediat ukrainase të ketë thënë se disa qindra ushtarë janë vranë dhe të tjerët janë kapur. Kjo nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Bashkimi Evropian i ka dhënë Moskës afat një javor për të ulur tensionet ose do të përballet me sanksione të tjera.

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov përsëriti qëndrimin e Moskës se ajo kurrë nuk ka ofruar mbështetje materiale për rebelët. Ai hodhi poshtë kërkesën e Ukrainës për çarmatosjen e rebelëve dhe përsëri bëri thirrje për një armëpushim të pakushtëzuar.

Ai thotë se nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake dhe Rusia mbështet vetëm një zgjidhje paqësore të krizës. Ai thotë se veprimet e Rusisë kanë për qëllim të promovojnë një qasje politike. Por, sipas zotit Lavrov, vendet perëndimore janë të verbëruara nga situata, dhe çdo gjë që autoritetet e Kievit deklarojnë dhe bëjnë mbështetet nga Perëndim.

Ndërkohë, bisedimet e paqes vazhduan dje në kryeqytetin bjellorus, Minsk. Rebelët pro-rusë po kërkojnë një "status të veçantë" për Ukrainën lindore që do t'u jepte atyre një autonomi të madhe nga Kievi.

XS
SM
MD
LG