Lidhje

Sekui: Klasa politike vonon integrimin në BE


Ambasadori i BE në Shqipëri, Etore Sekui, paralajmëroi sot klasën politike shqiptare se koha po ecën me shpejtësi dhe se ajo është ende larg përmbushjes së 12 rekomandimeve të BE. Duke ju përgjigjur interesimit të mediave të shumta, ambasadori Sekui tha se gjithçka varet nga vullneti politik i Shqipërisë dhe se komuniteti ndërkombëtar po e asiston Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE.

Siç tha disa ditë më parë edhe Komisioneri Fyle, nuk keni shumë kohë dhe se ora po bën tik-tak. Kam besim, shtoi ambasadori Sekui, se vlerat e Europës, që janë dialogu dhe kompromisi, mund t’i shërbejnë interesit dhe prioritetit kombëtar të Shqipërisë, që është integrimi në BE.

Duhet përmbushur sa më shpejt e ashtuquajtura Paketa e Nëntorit, tha ambasadori Sekui; reforma elektorale, reforma parlamentare, imuniteti dhe të adresoni të gjithë prioritetet e tjera.

Është e mundur, por koha po ecën, paralajmëroi ambasadori i BE në Shqipëri.

Komentet e tij ambasadori Sekui i bëri sot në qytetin e Shkodrës ku, së bashku me Ministrin e Kulturës, Aldo Bumçin, inspektoi punimet për restaurimin e qendrës historike të këtij qyteti, pjesë kjo e një projekti më të gjërë që BE po financon në qendrat historike të disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë.
XS
SM
MD
LG