Lidhje

Serbët në veriun e Mitrovicës nuk lejojnë vendosjen e pikave policore


Grupe serbësh në veriun e Kosovës, penguan sot vendosjen e pikave të kontrollit të policisë në disa zona të banuara me popullatë të përzier në veriun e Mitrovicës. Ata detyruan policët të tërhiqen, ndërsa shkatërruan të paktën një nga shtëpizat e vendosura në njërën nga lagjet veriore.

Një ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, urdhëroi vendosjen e pikave të kontrollit, pas një incidenti që la pas vetes një të vrarë dhe dy të plagosur. Selver Haradinaj, 38 vjeçar, humbi jetën nga pasojat e një shpërthimi që ndodhi në dritaret e apartamentit të tij në lagjen e njohur si “Tre rrokaqiejt”, në bregun verior të lumit Ibër, që shënon vijën ndarëse të qytetit, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

Përfaqësues të serbëve thanë se janë kundër çdo përpjekjeje për vendosjen e pranisë së pjesëtarëve të policisë shqiptare, pa praninë e policëve serbë që veprojnë në veriun e Mitrovicës. Grupe serbësh ndërhynë për të larguar pikat e kontrollit, vetëm pak minuta pasi që policia provoi te zbatojë urdhrin e ministrisë së brendshme.

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë skena e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës dhe në atë zonë edhe më tej nuk njihen e nuk pranohen institucionet e Prishtinës. Që nga 25 korriku i vitit të kaluar, rrugët kryesore në zonë janë të bllokuara në shenjë kundërshtimit të përpjekjeve të Prishtinës për zbatimin e Kushtetutës së saj edhe në veri.

Edhe sot, në katër vjetorin e nënshkrimit të kësaj kushtetute, autoritetet në Prishtinë thanë se ajo duhet të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe tri komunat në veri të vendit.

Por, shtrirja e saj në veri ende duket e largët. Përfaqësuesit serbë të mbështetur nga Beogradi, kundërshtojnë çdo mundësi integrimi në Kosovë. Ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, sërish është angazhuar për ndarjen e Kosovës, një mundësi e cila është hedhur poshtë nga autoritetet e Prishtinës, por edhe autoritetet ndërkombëtare. Por, diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje Prishtinës që të hartojë, siç është thënë, një qasje gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës, ndërsa gjithnjë e më shpesh po përmendet mundësia që të fillojnë bisedime për këtë çështje. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, citohet të ketë thënë se një shqyrtim më serioz i situatës në veri gjithsesi do të ndodhë para se zgjedhjet e reja të ndodhin edhe në Kosovës. Por kjo, sipas tij, varet edhe nga ajo se çfarë qeverie do të ketë në Serbi. Ai ka përjashtuar mundësinë që zgjidhja të kërkohet nëpërmjet ndonjë statusi të posaçëm, apo ndonjë lloj tjetër autonomie.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG