Lidhje

Serbia dhe anëtarësimi në BE


Kanë kaluar 16 vjet që kur Serbia, dikur pjesë e ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, filloi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Disa serbë mendojnë se debati është zgjatur shumë dhe se largimi i Britanisë mund të tregojë se nuk ka më vlerë anëtarësimi në BE. Qeveria e Serbisë thotë se nuk po i braktis reformat për shtetin ligjor, dhënien fund korrupsionit dhe miratimit të legjislacionit në përputhje me rregullat e tregtisë së BE-së.

Historia e trazuar e Serbisë luan rol e saj në perceptimin e popullsisë.

Shtabi i ushtrisë dhe godina të tjera në qendër të Beogradit që u bombarduan nga NATO në vitin 1999 ende nuk janë riparuar apo shembur, duke shërbyer kështu si një kujtesë për luftën, stanjacionin dhe izolimin që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë.

Për disa, perspektiva e anëtarësimit në BE ofron shpresë.

“Do të jetë një jetë më e mirë, pasi do të jetë më paqësore. Kjo i nevojitet Ballkanit. Lufta bëri të vetën. Na duhet të rigjejmë rrugën për të ecur përpara”, thotë një tregtar rrobash. Ai thotë se bluzat me fytyrën e Presidentit rus, Vladimir Putin, shiten shumë këto ditë.

Ëndrra e Serbisë është që të rifitojë çfarë humbi, si në kohërat e ish-Jugosllavisë kur ajo prodhonte avionë reaktivë.

Në muzeun aeronautik të Beogradit, pjesë të avionëve amerikanë dhe të NATO-s të rrëzuar gjatë luftës, janë dëshmi e marrëdhënies problematike të Serbisë me Perëndimin. Anëtarësimi në BE shërben si një shans për të zbutur gjërat dhe për të lëvizur drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më të begatë.

Por, disa i shohin përpjekjet e BE-së për njehsimin e standarteve dhe ekonomive në kontinent si një kërcënim për individualitetin, traditën dhe kulturën.

“Pyetja ngrihet nëse është BE-ja ajo çfarë kemi ëndërruar, ku vendet e vogla mund të bëhen pjesë e një familjeje, apo është një model i ri që imponon politika që nuk përfillin popujt e vegjël?” Kështu shprehet Zoran Petrov, një prodhues bulmeti në Vrac, 87 kilometra pranë Beogradit.

Anketimet tregojnë se që nga votimi britanik, më shumë serbë janë tashmë kundër anëtarësimit në BE.

Ndërsa parlamenti serb mbizotërohet nga parti pro-evropiane dhe qeveria serbe vazhdon fushatën për promovimin e anëtarësimit në BE, me premtimin për më shumë barazi, respekt për shtetin ligjor dhe për paga më të larta.

Ndërkohë që udhëheqësit serbë zotohen të vazhdojnë reformat, edhe zyrtarët e BE-së thonë se janë të vendosur për zgjerimin e unionit pavarësisht votimit në Britani dhe problemeve të tjera.

Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për zgjerimin, u shpreh këtë javë se dalja e pritshme e Britanisë “nuk do të thotë se zgjerimit i ka ardhur fundi, në veçanti në Ballkanin Perëndimor”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG