Ndeshja e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë për kualifikatoret e Kampionatit Evropian 2016 u pezullua pas përleshjeve që shpërthyen në stadium me përfshirjen e lojtarëve dhe tifozëve për shkak të një flamuri shqiptar që u lëshua mbi stadium me mjet të telekomanduar.
Arbitri anglez Martin Atkinson e ndërpreu ndeshjen në minutën e 41-të, kur njëri nga lojtarët e Serbisë e rrëmbeu flamurin dhe lojtarët e Shqipërisë u përpoqën ta mbrojnë atë. Disa tifozë serbë hynë në fushë dhe u përleshën me lojtarët shqiptarë, ndërkohë që rezultati ishte 0-0.
Më vonë ndeshja u pezullua "për shkak të një çrregullimi në fushë", siç u cilësua nga enti administrues i futbollit europian, UEFA.
Tifozët shqiptarë ishin ndaluar të hynin në stadiumin Partizani të Beogradit.
Ndeshja e futbollit Shqipëri – Serbi është ndjekur me interesim të madh edhe në Kosovë.
Nëpër sheshe të qyteteve, në ekrane të mëdha ajo është ndjekur nga shumë tifoz të cilët ndeshjen e së martës e kanë parë si një ngjarje që tejkalon kufijtë e futbollit.
Edhe pas pezullimit të saj, qytetarë të shumtë më flamuj kombëtar shqiptarë kanë parakaluar rrugëve të Prishtinës. Ata besojnë se incidentet e së martës do të bëjnë që UEFA të dënojë Serbinë për shkak të dështimit të saj për të siguruar rrjedhën e lojës. Në një rast të tillë, kombëtares shqiptare do t’i njihej fitorja. Kjo çështje pritet të debatohet gjatë ditëve në vazhdim nga autoritetet evropiane të futbollit.