Lidhje

Kryeministri Rama në Beograd, kërkon njohjen e Kosovës nga Serbia


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha të enjten në Beograd që Serbia duhet ta njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës, meqë kjo do të jetë në të mirë të të gjithëve.

Ai i bëri këto komente në fillim të vizitës dyditëshe në Serbi ku mori pjesë në një debat në kuadër të Forumit të Sigurisë bashkë me kryeministrin serb Aleaksandër Vuçiç.

"Kosova është një çështje për të cilën nuk pajtohemi, sepse qëndrimi im është që sa më parë që Serbia ta njohë Kosovës, do të jetë më mirë për të gjithë. Por, njëkohësisht ekziston procesi që e mbështesë në tërësi e ai është procesi i bisedimeve", tha kryeministri Rama gjatë diskutimeve për të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro -serbe dhe qëndrueshmërinë në Evropën Juglindore.

Duke ju referuair mospajtimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit lidhur me kombinatin Trepça, kryeministri Rama tha se ajo ndodhet në territorin e Kosovës dhe u takon të gjithë qytetarëve të saj.

"Mbase nuk dëshironi të transferoni... Njerëzit duhet të kuptojnë që minierat e Trepçës janë në truallin e Kosovës dhe u takojnë qytetarëve të saj pavarësisht a janë shqiptarë apo serbë", tha ai.

Kryeministri serb, tha se ka "mjaft argumente për të thënë se pala tjetër është fajtore, por nuk do ta bëj një gjë të tillë. Përfundimi im është se do të vazhdojmë bisedimet me energji dhe përkushtim, sepse është kusht për zhvillimin e rajonit, përmirësimin e standardeve në Serbi dje këtë duhet të bëjmë për hir të së ardhmes së marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve - dy kombeve më të mëdhenj në Ballkan", tha kryeministri serb.

Kryeministri Rama në mbrëmje do të flasë në Beograd me rastin e botimit në serbisht të librit të tij "Kurbani", ndërsa të premten udhëton për në Nish, në jug të Serbisë, ku bashkë me kryeministri serb, Vuçiç, do të hapin forumin e biznesit shqiptaro serb.

XS
SM
MD
LG