Lidhje

Rrënojat e ish-shtabit të ushtrisë jugosllave tërheqin turistët


Katërmbëdhjetë vjet pas goditjes me raketa kruz të Natos, ndërtesa e ish shtabit të Ushtrisë Jugosllave në Beograd ende është një rrënojë. Ndërkohë që vazhdon debati se ç'duhet bërë me ndërtesat e shkatërruara, kjo gërmadhë ka filluar të bëhet një pikë tërheqëse për turistët.

Sulmet ajrore të NATO-s në vitin 1999 e shkatërruan keqaz shtabin e ushtrisë jugosllave dhe të asaj serbe në qendër të Beogradit. Xhamat e dritareve janë thyer dhe një pjesë e mureve janë prishur.

Për disa njerëz, kompleksi simbolizonte forcën e ish Ushtrisë Jugosllave, që dikur thuhej se ishte ushtria e katërt më e fuqishme në Evropë. Të tjerëve ajo u kujton politikat e dështuara serbe të viteve 90 dhe luftërat e përgjakshme që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë.

Sot, ligjvënësit, arkitektët dhe ekspertët, janë ende në kërkim të një zgjidhjeje të përbashkët. Arkitektët janë pothuajse të njëzëshëm se kompleksi duhet të rindërtohet dhe të rikthehet në lavdinë e mëparshme. Por zyrtarët e biznesit dhe ligjvënësit argumentojnë se pozicioni i saj në qendër të Beogradit, është më i rëndësishëm.

"Një numër njerëzish kishin menduar se pas bombardimeve të vitit 1999 këtyre strukturave me siguri u kishte ardhur fundi," thotë arkitekti Bojan Kovaçeviç.
"Shkaku i debatit është i thjeshtë. Kjo ndërtesë shihej shpesh si simboli i Ushtrisë, ose si simbol i luftës agresive në Kosovë," thotë Kovaçeviç.

Ai mendon se e ardhmja e ndërtesës duhet të vendoset nga ekspertët e arkitekturës dhe nuk ka vend për të menduar rreth vlerave të saj simbolike apo historike.
Ndërkohë që debatohet, kompleksi i rrënuar ka nisur të bëhet pikë tërheqëse për turistët.

"Po shikojmë se vizitorët e huaj kanë shprehur interes. Ata pyesin rreth ndërtesës dhe janë të interesuar ta vizitojnë e të bëjnë fotografi," thotë Jelena Stankoviç, eksperte e turizmit.

Brezi i ri i vizitorëve, në kërkim të objekteve turistike të veçanta, e kanë bërë kompleksin e bombarduar një pikë ndalimi në itineraret e tyre të udhëtimit.

"Është shumë interesante kur sheh këtë ndërtesë, sepse në vende të tjera nuk shikon gjëra që të tregojnë se si ishte lufta në të vërtetë," thotë Paul Shatten, turist nga Polonia.

Shumë nga këta turistë mendojnë se kompleksi i shatbit të ish ushtrisë jugosllave duhet të lihet ashtu siç është.
XS
SM
MD
LG