Lidhje

Serbia: Arrestimi i Goran Haxhiçit po aq i vështirë sa gjetja e Osama bin Ladenit

  • Stefan Bos

Serbia: Arrestimi i Goran Haxhiçit po aq i vështirë sa gjetja e Osama bin Ladenit

Serbia: Arrestimi i Goran Haxhiçit po aq i vështirë sa gjetja e Osama bin Ladenit

Ish udhëheqësi i serbëve të Kroacisë, Goran Haxhiç, mund të dorëzohet që nesër në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë.

I kërkuari i fundit nga Gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi u arrestua dje në rajonin malor të Frushka Goras, rreth 65 kilometra në veri të Beogradit.

52 vjeçari Haxhiç udhëhoqi serbët e Kroacisë gjatë luftës në ish Jugosllavi në vitet 90-të. Ai u zhduk në vitin 2004 kur Gjykata e Hagës ngriti akt-padi kundër tij nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerzimit. Ai akuzohet gjithashtu se ka dhënë urdhër për vrasjen e qindra banorëve jo-serbë të Kroacisë dhe deportimin e mijëra të tjerëve.

Avokati i Haxhiçit tha se klienti i tij nuk do të apelojë ekstradimin e tij në Hagë.

Gruaja e Haxhiçit si dhe motra dhe djali i tij, të cilët nuk e kishin parë për 7 vjet, e vizituan atë sot në mëngjes në burgun e gjykatës speciale të Serbisë në Beograd.

Presidenti serb Boris Tadiç tha dje se arrestimi i Haxhiçit mbylli një faqe të rëndë dhe të errët në historinë e Serbisë. Arrestimi i Haxhiçit shikohet si një hap i rëndësishëm në përpjekjet e Serbisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Serbia thotë se arrestimi i suksesshëm i të arratisurit të fundit për krime lufte në luftrat e Ballkanit u bë falë një operacioni po aq të vështirë sa ç’ishte ai për gjetjen e terroristit Osama bin Laden. Arrestimi i djeshëm i Goran Haxhiç në Sebi i dha fund ndjekjes 7-vjeçare.

Arrestimi i Goran Haxhiçit në një zonë pyllore në mal në veri të Serbisë, rreth 65 kilometra larg Beogradit ishte shumë ndryshe nga trajtimi që i ishte bërë atij nga udhëheqësit serbë gjatë luftrave të Ballkanit.

Dikur një figurë e panjohur që punonte si magazinier, Haxhiç u bë i njohur gjatë konfliktit etnik për kontrollin e Kroacisë nga viti 1991 deri në vitin 1995.

52-vjeçari Haxhiç, i lindur në Kroaci, kishte lidhje të ngushta me policinë sekrete të ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç dhe grupet famëkeqe paramilitare që kundërshtonin pavarësinë e Kroacisë.

Ai i përdori këto dhe kontakte të tjera politike për t’u zgjedhur president i shtetit të vogël të vet-shpallur serb në Kroaci në vitin 1991 dhe udhëhoqi rebelët serbë gjatë konflikteve të viteve 1990 në ish Jugosllavi.

Në vitin 2004 ai u arratis nga shtëpia e tij në qytetin verior serb të Novi Sadit pasi një urdhër arresti ndërkombëtar u lëshua për të.

Gjykata Ndërkombëtare Penale e OKB-së për Krime Lufte në Hagë ngriti aktakuzën kundër Haxhiçit në vitin 2004 nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aty përfshihen vrasjet dhe torturat e qindra njerëzve dhe dëbimi i mijëra kroatëve dhe etnive të tjera jo-serbe nga territoret e kontrolluara prej tij.

Në Kroaci u ngritën edhe akuza për gjenocid kundër tij.

Në arrati, ai e ndryshoi shumë pamjen. Televizioni shtetëror e tregoi Haxhiçin duke ecur ngadalë, paksa i kërrusur, me një bluzë ngjyrë gri, flokë të shkurta dhe mustaqe. Mjekra e tij e zezë nuk ishte më.

Presidenti serb Boris Tadiç pranoi se kishte marrë vite deri sa i arratisuri i fundit i luftrave të Ballkanit u zbulua dhe u arrestua.

Por presidenti Tadiç tha se Haxhiçi kishte po aq përvojë në shmangien ndaj drejtësisë sa ish kreu i rrjetit terrorist të al-Kaidës, Osama bin Laden.

“Dua t’ju kujtoj një rast të njohur ndërkombëtar. Atë të Osama bin Laden, gjuetia për të cilin zgjati një dekadë. E njëjta gjë ndodhi edhe këtu. Ne kemi punuar shumë dhe më në fund ia dolëm.”

Ashtu sikurse edhe bin Ladeni, Haxhiçi njihej për mizorinë e tij.

Ndërsa drejtonte shtetin e vet-shpallur serb brenda Kroacisë, Haxhiçi akuzohet se drejtoi shkatërrimin e qytetit kroat të Vukovarit në vitin 1991. Vukovari besohet se ishte qyteti i parë europian i shkatërruar tërësisht që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në një nga masakrat më të rënda atje, forcat serbe kapën të paktën 264 jo-serbë nga spitali i Vukovarit pas një rrethimi tre-mujor të qytetit, i dërguan në një fermë derrash, i torturuan, i vranë dhe i varrosën në një varrezë masive të pashënuar.

Një muaj më parë, rreth 50 kroatë që ishin mbajtur për punë të detyruar thuhet se u detyruan të ecnin përmes një fushe me mina për ta bërë atë të sigurt për serbët.

Arrestimi i tij u bë më pak se dya muaj pasi Serbia ekstradoi gjeneralin serb të BosnjësRatko Mlladiç nën akuzat për krime lufte, si dhe përfshirjen e tij në masakrën e rreth tetë mijë burrave dhe djemve myslimanë në qytetin boshnjak të Srebrenicës në vitin 1995.

Presidenti Tadiç e bëri të qartë dje se është i kënaqur që vite të tëra hetimesh dolën me sukses.

“Ne nuk arritëm t’i kapnim Haxhiçin dhe Mlladiçin më parë. Jemi përpjekur por ka qenë shumë e vështirë. Ata kanë shumë eksperiencë. Por kemi bërë ç’është e mundur dhe jam krenar për njerëzit që kanë punuar për këtë çështje.”

Bashkimi Europian tha dje se arrestimi i Haxhiçit kishte hequr edhe një pengesë tjetër për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG