Lidhje

Serbi, zgjedhjet e parakohshme në prill


Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, shpërndau sot parlamentin dhe shpalli formalisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare më 24 prill. Ai tha se Serbinë e presin reforma vërtet serioze dhe shumë të dhimbshme për të gjitha shtresat e qytetarëve dhe se është e nevojshme për qytetarët që të deklarojnë nëse ata do t'i mbështesin deri në fund, në mënyrë që të jetojnë më mirë.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është nxitur nga Partia Përparimtare Serbe, kryetari i së cilës, Aleksandër Vuçiç, mban aktualisht postin e kryeministrit, ndërsa atë të zëvendëskryeministrit, shefi i Partisë Socialiste, Ivica Daçiç.

Studimet e kryera nga organizata të ndryshme në Serbi flasin se Partia Përparimtare gëzon mbështetje të madhe të votuesve.

Analistët në Serbi pohojnë se me zgjedhjet e parakohshme Partia Përparimtare, e cila doli nga ndarja e Partisë Radikale Serbe, synon të krijojë një qeveri të një koalicioni më të ngushtë e mbase të qeverisë e vetme.

Kryeministri aktual Aleksandër Vuçiç tha se zgjedhjet janë të domosdoshme pasi që kërkohet një qeveri e re dhe e qëndrueshme që synon të siguroj një mbështetjeje sa më të gjerë publike për reformat e kërkuara, pas hapjes së kapitujve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Serbia hapi këto kapituj më 14 dhejtor të vitit të kaluar si shpërblim për përfshirjen e saj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Bisedimet me Serbinë i mundësuan Kosovës ndërkaq nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian në tetor të vitit të kaluar. Por, ajo mbetet vendi i fundit i Evropës Juglindore në rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

XS
SM
MD
LG