Lidhje

Serbia votoi në zgjedhje të parakohshme


Zgjedhjet e sotme parlamentare në Serbi pasuan hapjen e negociatave të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Serbia mbajti sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u nxitën nga Partia Përparimtare e cila synon të shndërrojë në votë hapjen e negociatave për anëtarësim më Bashkimin Evropian. Deri në orën 20 sipas kohës së Evropës qendrore, zgjatën votimet për zgjedhjen e parlamentit 250 vendesh që sipas analistëve në Serbi mund të dominohet nga Partia Përparimtare dhe udhëheqësi i saj Aleksandar Vuçiç, i cili duke votuar sot e cilësoi këtë si një ditë shumë të rëndësishme.

Sot është ditë e madhe dhe e rëndësishme për Serbinë, një hap tjetër demokratik. Pres një pjesëmarrje të gjerë dhe pas zgjedhjeve, reformat, lufta për më shumë vende pune dhe lufta kundër korrupsionit do të jenë përparësitë kryesore me të cilat do të përballet qeveria e re”, tha ai.

Aleksandër Vuçiç, dikur aleat i vijës së ashpër nacionaliste të ish presidentit jugosllav Slobodan Milosheviç, pas zgjedhjeve të vitit 2012 mori postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa kësaj radhë pritet që ai të fitojë votat e mjaftueshme për të zënë vendin e aleatit të tij Ivica Daçiç nga Partia Socialiste.

Dëshiroj që pas zgjedhjeve Serbia të ketë qëndrueshmëri politike sepse ky është parakusht për të qe të hedhë hapa të tjerë serioz përpara. Si njeri që i dëshiron gjithë të mirat këtij vendi, do të doja që Serbia të ketë institucione të fuqishme e të qëndrueshme dhe të zhvillojë një sistem demokratik ku do të respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut”, tha kryeministri në largim Ivica Daçiç, një nga ish bashkëpunëtorët e ngushtë të ish presidentit jugosllav Millosheviç.

Në konkurrencë me dy partitë e koalicionit aktual qeverisës në Serbi janë edhe Partia Demokratike e ish presidentit serb Boris Tadiç, i cili kësaj radhe merr pjesë në zgjedhje me partinë e tij të re demokratike si dhe liberal-demokratët dhe konservativët e Partisë Demokratike të Serbisë, një grupim politik që kundërshton aspiratat serbe për integrim në Bashkimin Evropian.

Serbia përballet më një ekonomi të dërmuar nga luftërat e udhëhequra prej saj gjatë viteve të 90-ta dhe aktualisht të dhënat zyrtare flasin për një papunësi prej 20 për, qind, ndonëse ekspertët flasin për shifra shumë më të larta.

Në janar të këtij viti, Serbia habi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si shpërblim për përfshirjen e saj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Serbët e Kosovës votuan në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës. Votimet u zhvilluan nën përkujdesjen e Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë e cila drejtoi operacionin e quajtur grumbullimi i votave. Ajo kishte hapur dhjetë qendra të grumbullimit dhe tashmë votat e mbedlhura do t’i dërgojë në dy qytete në Serbi në Rashkë dhe Vranje, por nuk do të jetë pjesë e numërimit të tyre.

Operacioni i kësaj organizate është siguruar nga policia e Kosovës me mbështetjen e EULEX-it e forcave paqeruajtëse dhe sipas tyre zgjedhjet ishin të qeta.

Votimi ka nxitur debate ndërmjet partive në pushtet në Kosovë që thonë se Serbia nuk është duke organizuar zgjedhje në Kosovë, por OSBE-ja ka grumbulluar vota ndërsa partitë opozitare thonë se mbajtja e zgjedhjeve është shkelje mbi sovranitetin e Kosovës.

Zgjedhjet e përgjithshme serbe ishin mbajtur edhe më parë në Kosovë. Në vitin 2012 Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë kishte hapur 90 vendvotime në 28 pjesë të ndryshme të Kosovës. Dallimi i vetëm këtë radhë është në numrin e vendvotimeve dhe emërimin e tyre që në vend të qendrave të votimit sivjet flitet për qendra grumbullimi.

Zgjedhjet parlamentare serbe u mbajtën edhe në luginën e Preshevës, por në to ishte përfshirë vetëm Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit, ndërsa ato u bojkotuan nga partitë tjera në tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Debatet rreth pjesëmarrjes apo jo në zgjedhje ishin përqendruar rreth pozitës së shqiptarëve në zonë dhe ndikimit që mund të kishin zgjedhjet për pushtetin qendror të Serbisë, që sipas partive të atjeshme politike nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për përmirësimin e gjendjes në Luginën e Preshevës.
XS
SM
MD
LG