Lidhje

Serbi: Aleksandër Vuçiçi me rreth 50 për qind të votave


Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të Serbi, nxjerrin Partinë Përparimtare serbe të Alekasandër Vuçiçit fituese të rreth 50 për qind të votave.

Sipas këtyre rezultateve paraprake, Partia Socialiste radhitet e dyta, ndërsa radikalët e ultranacionalistit Vojisllav Sheshel, radhiten në vendin e tretë.

Serbia mbajti të dielën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat vlerësohen me rëndësi për orientimin e saj politik drejt perëndimit apo Rusisë.

Votimet sikurse edhe fushata që u parapriu atyre, kaluan në shenjë të diskutimeve për drejtimin që do të marrë Serbia pas së dielës. Qeveria aktuale thotë se synon të ruajë lidhjet me Moskën, por njëkohësisht të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Grupet e djathta që fajësojnë perëndimin për pavarësinë e Kosovës, kërkojnë orientimin drejt Rusisë si aleate tradicionale e Serbisë.

Kryeministri i Serbisë, Aleaksandër Vuçiç, organizoi zgjedhjet e parakohshme në Serbi me synimin që të mbetet në pushtet dhe siç ka thënë të ketë një mandat të qartë për ta udhëhequr Serbinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, ai tha se njëkohësisht do të ruajë lidhjet me Moskën po ashtu. Dikur bashkëpunëtor i ngushtë i shefit të radikalëve serbë Vojisllav Sheshel, nga i cili u nda në vitin 2008, Aleksandër Vuçiç, tha se politikat e Sheshelit mund të dëmtojnë Serbinë dhe përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shumë serbë e shohin vetën viktimë të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që çuan në çlirimin e Kosovës dhe nuk shohin ndonjë përfitim nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Për ta lidhjet më Moskën janë më tërheqëse ndërsa kundërshtojnë marrëveshjen e arritur ndërmjet Serbisë dhe NATO-s me te cilën lejohet lëvizja e trupave të kësaj aleance nëpër Serbi.

Beogradi vazhdon të ruajë lidhjet emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Edhe serbët e Kosovës votuan në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës.

Votimet u mbajtën nën përkujdesjen e Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë e cila po drejton operacionin e quajtur grumbullimi i votave. Ajo hapi pesë qendra të grumbullimit të votave, numërimi i të cilave do të bëhet në dy qytete në Serbi në Rashkë dhe Vranje.

Votimi i serbëve të Kosovës nxiti debate ndërmjet partive në pushtet në Kosovë që thonë se Serbia nuk ka organizuar zgjedhje në Kosovë, por OSBE-ja i ka grumbulluar votat, ndërsa partitë opozitare thonë se mbajtja e zgjedhjeve ishte shkelje mbi sovranitetin e Kosovës.

Zgjedhjet parlamentare serbe u mbajtën edhe në luginën e Preshevës. Debatet rreth pjesëmarrjes apo jo në zgjedhje ishin përqendruar rreth pozitës së shqiptarëve në zonë dhe ndikimit që mund të kenë zgjedhjet për pushtetin qendror të Serbisë, që sipas partive të atjeshme politike nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për përmirësimin e gjendjes në Luginën e Preshevës.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. Serbia druan se anëtarësimi i saj mund të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG