Lidhje

Serbia dhe anëtarësimi në BE


Kanë kaluar 16 vjet që kur Serbia, dikur pjesë e ish-Federatës së Jugosllavisë, filloi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Disa serbë mendojnë se debati është zgjatur shumë dhe se largimi i Britanisë mund të tregojë se nuk ka më vlerë anëtarësimi në BE. Qeveria e Serbisë thotë se nuk po i braktis reformat për shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjet për miratimin e legjislacionit në përputhje me rregullat e tregtisë së BE-së. Siç njofton korrespondenti Luis Ramirez, historia e trazuar e Serbisë është faktor në mënyrën si i percepton popullata përpjekjet e vendit për antarësim:

Ndërtesat e bombarduara nga NATO-ja 17 vjet më parë janë për serbët një kujtesë e përditshme e luftës, stanjacionit dhe izolimit që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë.

Për disa, premtimi për anëtarësim në BE ofron shpresë.

“Do të jetë një jetë më e mirë, pasi do të jetë më paqësore. Kjo i nevojitet Ballkanit. Lufta bëri të vetën. Na duhet të rigjejmë rrugën për të ecur përpara”, thotë një tregtar rrobash.

Ëndrra e Serbisë është që të rifitojë çfarë humbi, si në kohërat e ish-Jugosllavisë kur ajo prodhonte avionë reaktivë.

Në muzeun aeronautik të Beogradit, pjesë të avionëve amerikanë dhe të NATO-s të rrëzuar gjatë luftës, janë dëshmi e marrëdhënies problematike të Serbisë me Perëndimin. Anëtarësimi në BE shërben si një shans për të mbyllur plagët dhe për të ecur përpara drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më të begatë.

Por për disa, si për fermerin Zorav Petrov, antarësimi në BE përbën kërcënim për individualitetin, traditën dhe kulturën. Ai merr si shembull veglat e tij bujqësore, prodhim jugosllav dhe thotë se janë më të mira se modelet e prodhuara jashtë vendit me modele kompiuterike. Ai mendon se shembulli i Britanisë ofron një mësim të rëndësishëm:

“Nëse ata nuk mund të jenë pjesë e BE-së, duhet të pyesim veten, përse? Kjo tregon se larmia dhe individualiteti në Evropë janë të kërcënuara”.

Përpjekjet e Serbisë për antarësim në BE nxiten nga premtimet e qeveritarëve për respekt më të fortë për ligjin, barazi dhe paga më të larta. Por anketat pas Brexitit tregojnë se më shumë serbë janë tashmë kundër anëtarësimit në BE. Serbët i kanë të gjalla kujtimet e problemeve që dalin pas dështimeve:

“Njerëzit këtu kanë perceptim ndoshta më të mprehtë se në pjesë të tjera të Evropës. Ata kanë ndjenja më të thella euro-skeptizmi dhe shqetësohen më shumë se BE-ja mund të dështojë, pasi, me të drejtë ose jo, mendojnë se kanë kaluar më parë një situatë të ngjashme,” thotë publicisti Marco Prelevic.

Në fermën organike, fermeri Zoran Petrov e ka rregulluar kombajnën e vjetër. Ai beson se edhe Serbia do të dijë t’i rregullojë vetë punët e saj.

XS
SM
MD
LG