Lidhje

Natasha Kandiç, do të apelojë dënimin për denoncimin e krimeve të luftës


Veprimtarja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, ka paralajmëruar se do apelojë vendimin e një gjykate në Beograd e cila i kërkoi asaj të paguajë 4 mijë e 400 euro kompensim për shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç, të cilin organizata e saj e kishte lidhur me krimet e luftës të kryera në Kosovë.

Natasha Kandiç, ish shefe e Qendrës për të Drejtën Humanitare, e cilësoi vendimin e Gjykatës Themelore në Beograd si "politik" dhe u zotua se do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nëse është e domosdoshme.

Zonja Kandiç dhe organizata e saj u shpallën fajtor për siç thuhet, fyerjen e dinjitetit të gjeneralit Lubisha Dikoviç, duke pohuar se trupat e tij kishin kryer mizori kundër civilëve shqiptarë.

Në janar të vitit 2015 organizata e zonjës Kandiç, tha se ka dokumente që dëshmojnë se shefi aktual i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç, është përgjegjës për krime lufte në Kosovë.

Sipas saj,, ai është përgjegjës për krime në fshatrat Rezallë dhe Çikatovë e Vjetër, të rajonit të Drenicës në Kosovën qendrore, si dhe për fshehjen e trupave në një varrezë masive në rajonin e Rashkës në Serbinë jugperëndimore. Qendra tha se ka dokumente që tregojnë qartë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rrezallë dhe Çikatovë më 1999, kanë marrë pjesë ushtarët e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë serbe, komandant i së cilës asokohe ishte shefi aktual Shtatmadhorisë së ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç.

Zonja Kandiç, tha të martën se gjykata në Beograd kishte refuzuar kërkesën e saj që të paraqesë dëshmitë kundër gjeneralit serb.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG