Lidhje

Beogradi komenton dënimin e Karaxhiçit


Qeveria e Serbisë tha të premten se "nuk do të lejojë" që dënimi i ish udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, të përdorët kundër popullit serb.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, takoi të premten kreun e Kishës Ortodokse serbe, patriarkun Irinej dhe mblodhi qeverinë për të diskutuar mbi dënimin me 40 vjet heqje lirie të Radovan Karaxhiçit nën akuzat për gjenocide dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata e shpalli fajtor për gjenocid lidhur me masakrën e Srebrenicës, ku forcat serbe vranë në korrik të vitit 1995 mbi tetë mijë burra e të rinj myslimanë boshnjakë, pak pasi morën nën kontroll qytetin që ishte shpallur "zonë e sigurt" nga Kombet e Bashkuara.

Radovan Karaxhiç u dënua për përndjekje, shfarosje, deportim, zhvendosje të dhunshme dhe vrasje - por u lirua na akuza për gjenocid lidhur me një fushatë për të përzënë myslimanët boshnjakë dhe kroatët nga fshatrat e pushtuara nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1992- 1995.

Qeveria serbe nëpërmjet një deklarate tha se pas vendimit të Gjykatës së Hagës, "nuk është lejuar hedhja e fajit kolektiv te një popull për shkak të krimeve që kanë kryer individët".

Qeveria serbe, thuhet në njoftim, nuk dëshiron të flasë për përmbajtjen e vendimit, por "pas punës shumëvjeçare të asaj gjykate, mbetet shija e hidhur për shkak se ata që janë krijues të politikës së krimeve ndaj serbëve, pothuajse fare nuk janë dënuar".

Qeveria serbe thekson se "politike serioze dhe e përgjegjshme e Serbisë ndaj qytetarëve të saj dhe pjesëtarëve të popullit serb kudo që ndodhen, nënkupton edhe kujdesin ndaj serbëve në Republikën Serbe" në Bosnjë dhe nuk do të lejojë "rrezikimin e saj".

Radovan Karaxhiçi, është zyrtari më i lartë që përballet me Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, lidhur me luftën e para 21 vjetëve, në të cilën mbi 100 mijë veta humbën jetën.

Karaxhiç u arrestua në korrik të vitit 2008 në Beograd, pas 11 vjet arratisjeje.

I vetmi zyrtar më i lartë që është përballur me Gjykatën e Hagës për krime lufte, ishte ish presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, cili vdiq në Hagë dhjetë vjet më parë para se të përmbyllej gjykimi kundër tij për krime lufte e gjenocid ne Bosnjë, Kroaci dhe në Kosovë.

Ratko Mladiç, gjenerali që komandonte forcat e serbëve të Bosnjës, është i fundit i të arrestuarve për masakrën e Sebrenicës dhe aktualisht është në proces gjyqësor në Gjykatën e Hagës.

Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, që ishin pjesë e akuzave kundër Karaxhiçit, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995.

XS
SM
MD
LG