Lidhje

Trembëdhjetë të vrarë në Serbi


Një 60 vjeçar qëlloi sot dhe vrau 13 veta në një fshat në jug të Beogradit. Ende të paqarta motivet për vrasjet në Serbi

Një veteran lufte 60 vjeçar ka qëlluar për vdekje 13 njerëz në Serbi, përfshi këtu edhe një foshnjë, në një sulm herët në mëngjes nga një shtëpi tek tjetra para se të përpiqej të vriste veten dhe gruan e tij, thanë autoritetet dhe punonjësit e spitalit në Beograd.

Autori i sulmit i identifikuar si Ljubisa Bogdanovic, përdori një pistoletë në vrasjet në pesë shtëpi në fshatin Velika Ivanca, që ndodhet 50 kilometra në juglindje të Beogradit, tha zëdhënësja e spitalit.

Mes të vrarëve janë gjashtë gra, me disa prej të cilave ai ka lidhje familjare. Policia bllokoi fshatin ndërkohë që ekipe mjeko-ligjore dhe hetues mblodhën prova nga shtëpitë ku ndodhën vrasjet.

Dragan Radosavljevic është banor i fshatit.

“Sot në mëngjes, Ljubisa Bogdanovic filloi të vriste pa dallim fshatarët. Ai ishte një njeri shumë normal, një fqinj i mirë, por një Zot e di se ç’ka ndodhur me të.”

Banorët e fshatit e përshkruan të dyshuarin si një njeri të qetë dhe të mirë. Ata thanë se ai fillimisht kishte vrarë djalin e tij para se të qëllonte komshinjtë, disa prej të cilëve ishin ende në gjumë.

"Jetoj në atë kodër, pashë makina, policë dhe ambulanca që vinin në këtë anë të fshatit. Dëgjova çfarë kishte ndodhur dhe erdha, por nuk më lënë të kaloj, thonë se më kanë vrarë nënën dhe babanë tim,"- thotë Gordana Petronijevic.

Një banor tha se i dyshuari ishte kapur nga patrulla e policisë ndërkohë që kthehej në shtëpi. Shefi i policisë serbe thotë se 12 njerëz ishin vrarë mes orës 5 dhe 5:30 të mëngjesit dhe një tjetër kishte vdekur në spital në Beograd.

Policia thotë se motivi i vrasjeve nuk është i qartë. I dyshuari dhe gruaja e tij u plagosën rendë nga të shtënat, tha zëdhënësja e spitalit.

Kryeministri serb Ivica Dacic tha sot se vrasjet duhet të sherbejnë si paralajmërim se qeveria duhet të tregohet më e kujdesshme lidhur me ligjet mbi kontrollin e armëve dhe problemet e tjera sociale me të cilat përballet vendi.






XS
SM
MD
LG