Lidhje

Beograd, në kujtim të shqiptarëve të vrarë në Kosovë


Pjesëtarë të dy organizatave joqeveritare në Serbi, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Nisma Ime, ecën në këmbë të shtunën nga qendra e Beogradit deri Batajanicë, zonë ku ndodhen poligonet e stërvitjes së forcave serbe, për të shënuar përvjetorin e masakrës në Suharekë të Kosovës.

Parakalimi prej 20 kilometrash u zhvillua nën moton "Tepër të rinj për të kujtuar; të vendosur për të mos harruar”.

Më 26 mars të vitit 1999, dy ditë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, 48 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë u vranë nga forcat serbe. Në mesin e të vrarëve, 14 ishin nën moshën 15 vjecare, përfshirë edhe dy foshnje.

Trupat e tyre më pas ishin dërguar në Prizren për t’u varrosur në dy fshatra të kësaj komune dhe më pas ishin zhvarrosur për t’u dërguar në Serbi në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive.

Në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit është zbuluar një varrezë masive me trupat e rreth 800 shqiptarëve të Kosovës, përfshirë edhe një pjesë të të vrarëve në Suharekë. Tre nga anëtarët e familjes kanë mbijetuar, ndërsa disa nga trupat e të vrarëve ende nuk janë gjetur.

Organizatorët e parakalimit të së shtunës thanë se duan të vënë në pah rolin e organeve shtetërore në krimet në Kosovë dhe të protestojnë kundër politikës zyrtare që "rehabiliton përgjegjësit".

“Është shumë afër qendrës së Beogradit dhe është e pabesueshme që për të dihet shumë pak”, tha Jana Vujiq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë janë gjetur edhe në tri vende të tjera në Serbi, Peruçac, Petrovo Selo dhe Rudnicë të Rashkës në Serbinë Jugore.

Edhe 17 vjet pas luftës, ende nuk dihet për fatin e 1 mijë e 666 personave, pjesa më e madhe e të cilëve, shqiptarë të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG