Lidhje

Serbia hapi kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE


Serbia hapi të hënën kapitujt 32 dhe 35 të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat kanë të bëjnë me kontrollin financiar dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Zyrtarët evropian thanë e hapja e kapitujve dëshmon se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një ide për Serbinë por “një qëllim konkret dhe i arritshëm”.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, tha se kjo është një ditë e madhe për Serbinë.

Serbia siguroi negociatat për anëtarësim pas angazhimit të saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Çështja e këtyre marrëdhënieve përfshihet në kapitullin 35 të negociatave që sipas kryeministrit serb “do të zgjasë deri në fund të procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE. Kjo nuk do të jetë e lehtë, por ne nuk i frikësohemi punës. Nuk ka zgjidhje të lehta, dhe qytetarët tanë duhet të na kuptojnë”, tha ai.

Ndërsa, presidenti serb, Tomislav Nikoliç, tha se nëse kapitulli i 35-të parasheh njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, atëherë Serbia këtë nuk do ta pranojë.

Kosova përfitoi marrëveshjen e stabilizim asociimit nga bisedimet me Serbinë, por marrëveshjet e fundit të arritura më 25 gusht, e çuan Kosovën drejt një krize politike disa muajshe.

Partitë opozitare u hodhën në protesta në parlament dhe jashtë tij për të kundërshtuar marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe që ata e shohin si të dëmshme për sovranitetin e Kosovës.

Njëkohësisht ato kundërshtojnë edhe marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Për gati tre muaj ato nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave të rregullta të parlamentit duke kërkuar anulimin e marrëveshjeve, referendum për to dhe nëse këto nuk funksionojnë atëherë të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa u ka bërë thirrje partive opozitare që të hapin dialogun, ndërsa është zotuar se do të pres dhe do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, zbatimi i së cilës është pezulluar në pritje të këtij vendimi. Ai po ashtu tha se qeveria është e gatshme që duke përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë, të diskutojë lidhur me shënimin e vijës kufitare më Malin e Zi.

Qeveria e Malit të Zi, të enjten u shpreh e gatshme të debatojë çështjen e kufirit me Kosovën. Ajo tha se “nëse ekziston dyshimi se janë bërë gabime, është e gatshme ta shqyrtojë sepse nuk dëshiron mospajtime me fqinjët, duke pasur parasysh interesat shtetërore dhe kombëtare të Malit të Zi”.

Edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha të shtunën se duhet dialog i brendshëm për të zgjidhur çështjet që nxisin mosmarrëveshje.

Marrëveshjet me Serbinë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që aspirojnë integrimet evropiane. Por, organizatat që vëzhgojnë këtë procesin thonë se deri tash vetëm katër nga 16 marrëveshjet e arritura janë zbatuar në terren.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG