Lidhje

Protestë në Beograd në mbështetje të Oliver Ivanoviçit


Një gjykatë e drejtuar nga EULEX-i e dënoi me nëntë vjet heqje lirie për krime lufte politikanin lokal serb në Kosovë Oliver Ivanoviç.

Grupe protestuesish në Beograd kundërshtuan të shtunën dënimin e politikanit lokal serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç nën akuzat për krime lufte.

Të enjten një gjykatë në veriun e Kosovës e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, e shaplli atë fajtor dhe e dënoi me nëntë vjet heqje lirie, nën akuzat për krime lufte të kryera në pranverën e vitit 1999.

Oliver Ivanoviç, ishte në paraburgim që nga janari i vitit 2014 kur qe arrestuar nën dyshimet për krime lufte kundër civilëve të kryera në prill të vitit 1999 dhe nxitje të të tjerëve për kryerjen e veprave penale, vrasje apo lëndime të rënda trupore, të cilat janë kryer në shkurt të vitit 2000 në veriun e Mitrovicës, kur dhjetë shqiptarë kishin humbur jetën gjatë trazirave në atë zonë.

Gjykata rrëzoi akuzat që lidheshin me rastet e vitit 2000 ndaj Oliver Ivanoviçit dhe katër të tjerëve.

Autoritetet në Serbi reaguan ashpër ndaj këtij vendimi ndërsa e quajtën atë të padrejtë dhe me motive politike.

Të shtunën, protestuesit në Beograd, mesin e të cilëve ishte edhe familja e tij, hodhën prallua "“Unë jam Oliveri” dhe “Liri për Oliverin”.

Zyrtarë të Beogradit thanë gjatë javës se dënimi i tij mund të ndikojë edhe në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Oliver Ivanoviç, i cili është përfshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit 2013, ishe kandidat për postin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës.

XS
SM
MD
LG