Lidhje

FDH:Kallëzim penal për vrasjen e shqiptarëve


Arkiv

Arkiv

Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, akuzon dy pjesëtarë të policisë serbe për vrasjen e 53 civilëve në Kosovë në vitin 1999

Fondi për të drejtën humanitare paraqiti të hënën një kallëzim penal për krime të luftës ndaj dy pjesëtarëve të paidentifikuar të Njësive të Posaçme të Policisë serbe, për shkak të dyshimit të bazuar se më 17 prill të vitit 1999 në fshatin Poklek të komunës së Drenasit në Kosovën qendrore, kanë vrarë 53 civilë shqiptarë.

Në kallëzimin penal janë përfshirë edhe dy oficerë, midis të cilëve komandanti i njësitit 86 të Njësive të Posaçme të Policisë, Dragan Obradoviç, për mos parandalimin dhe mosndëshkimin e kryerësve të krimit.

Në kallëzim thuhet se më 17 prill 1999, rreth orës 16, dy pjesëtarë të njësitit të 86-të të policisë së posaçme, hynë në oborrin e Sinan Muqollit në Poklek, në shtëpinë e të cilit ishin fshehur 59 persona nga fqinjësia duke përfshirë edhe refugjatë, shumica e të cilëve ishin gra, fëmijë dhe pleq. Sinan Muqolli ka dalë nga shtëpia dhe u ka thënë policëve se në shtëpinë e tij gjendeshin kryesisht gra dhe fëmijë. Ai është urdhëruar t’i nxjerrë të gjithë jashtë me duart lart. Pasi i kanë bastisur, policët i kanë urdhëruar të kthehen në shtëpi e të mbyllin derën, derisa në oborr i kanë mbajtur vetëm Sinan Muqollin dhe Ymer Elshanin. Pas disa minutash, policët kanë vrarë Sinanin dhe Ymerin. Më pas njëri prej policëve e theu dritaren e dhomës ku gjendeshin gratë, fëmijët dhe pleqtë dhe pastaj me forcë e hapi derën dhe në dhomë e hodhi një bombë, ta pasuar edhe nga një tjetër.

Pas disa minutash, i njëjti polic hyri në dhomë duke kontrolluar për të mbijetuar dhe qëlloi mbi të gjithë ata që jepnin shenja jete.

Më pas policët dogjën me benzinë dhomën ku gjendeshin trupat e civilëve të vrarë. Katër persona, në mesin e të cilëve edhe një fëmijë dyvjeçar, të cilët u kishin mbijetuar bombave dhe të shtënave, u dogjën të gjallë.

Në këtë krim u vranë gjithsej 53 civilë, në mesin e të cilëve edhe 24 gra dhe 23 fëmijë. Shumica e fëmijëve ishin më pak se shtatë vjeç, ndërsa u vranë edhe dy foshnja njëvjeçare. Gjashtë persona mbijetuan.

Deri më sot askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për këtë krim.

Kallëzimi penal mbështetet mbi deklaratat e të mbijetuarve dhe dokumentet e Armatës Jugosllave dhe Ministrisë së brendshme të Serbisë.

Mbi dhjetë mijë veta janë vrarë gjatë luftës në Kosovë, ndërsa mbi 5 mijë llogariteshin të zhdukur në përfundim të saj. Lufta gati dy vjeçare mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, trupat e së cilës u vendosën në Kosovë në qershor të vitit 1999.

Nëntë vjet pas përfundimit të luftës, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG