Lidhje

Debate në Serbi për qasjen ndaj Kosovës


Në Serbi, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, nxiti debate më pohimet e tij se popullit serb duhet t’i thuhet qartazi se Kosova nuk është më në duart e Serbisë

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Vladimir Kostiç, nxiti shume reagime në Serbi, me pohimet se duhet hequr dorë nga pretendimet për Kosovën. Ai tha në një intervistë për mediat serbe se aktualisht është pjekuri politike që të hiqet dorë nga Kosova me, siç u shpreh, “elemente të dinjitetshme”, meqë ajo “as de fakto e as de jure nuk është në duart e Serbisë” dhe kjo duhet t’i thuhet qartë popullit serb. Ai tha po ashtu se aleanca me Rusinë është alternativë artificiale dhe se Serbia duhet të drejtohet nga Bashkimi Evropian.

Pohimet e tij nxitën reagimin e presidentit serb Tomisalv Nikoliç, i cili tha se mendimet e tilla janë kundër interesave të Serbisë dhe bindjeve të shumicës së qytetarëve të saj.

Në kohën kur shteti po udhëheqë një luftë të vështirë, me gjithë trysnitë e tmerrshme dhe zbatimin e standardeve të dyfishta nga ana e atyre që promovojnë pavarësinë e Kosovës, Serbia nuk ka bërë asnjë hap që do të ndihmonte që pavarësia e vetëshpallur të bëhet realitet. Bisedimet po bëhen me qëllim që qytetarët e Serbisë së bashku me krahinën, të mund të jetojnë normalisht, pa frikë nga luftërat, të sigurt e të lirë”, thuhet në reagimin e presidentit serb, i cili i ka bërë thirrje Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë që të shqyrtojë pozicionin e kryetarit të saj pas këtyre pohimeve.

Ndërsa kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, tha se nuk mund të pajtohet me qëndrimet e akademikut Kostiç, por secili a te drejtë të shprehë qëndrimet e tij. “Është kohë e keqe për deklarata të tilla në kohën kur po përpiqemi të pengojmë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO”, tha kryeministri serb.

Serbia është vënë në mes të synimeve për integrimet në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore. Për shkak të kësaj qasjeje ajo ka refuzuar të mbështesë sanksionet evropiane ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës.

Kryeministri serb tha të hënën se që nga koha kur mori këtë post, vetëm dy vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e cila është njohur nga mbi 100 vende të botës.

Megjithatë, në përpjekje për të siguruar integrimin në Bashkimin Evropian, Serbia është përfshirë në një proces bisedimesh me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve. Në shkëmbim të marrëveshjeve të arritura në këtë proces, ajo pret që deri në fund të vitit të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, autoritetet në Serbi janë shprehur të pakënaqura me përmbajtjen e kapitullit të 35-të të këtyre negociatave që sipas tyre përmban një numër të artikujve që paragjykojnë statusin e Kosovës dhe janë të drejtuara kundër interesave kombëtare serbe. Sipas zyrtarëve serb, në kapitullin e 35-të nuk përmendet prerazi njohja e Kosovës nga Serbia, por kapitulli e nënkupton këtë gjë.

Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim pas marrëveshjeve me Kosovën e cila ndërkaq përfitoi marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti.

XS
SM
MD
LG