Lidhje

Serbi, ditë zie për viktimat e përmbytjeve


Serbia shpalli tre ditë zie për viktimat e përmbytjeve më të rënda që kanë goditur vendin në më shumë se një shekull. Përmbytjet e mëdha këtë muaj kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 40 personave në Serbi, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Korrepondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke njofton mbi pasojat e përmbytjeve të cila kanë shkatërruar një pjesë të madhe të Ballkanit.

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç njoftoi dje se sot, nesër dhe pasnesër do të jenë ditë zie kombëtare në Serbi për viktimat e përmbytjeve më të rënda të regjistruara ndonjëherë në rajon. Ai nuk ishte optimist për situatën.

"Ne menduam se për shkak të kushteve të motit, dhe për shkak se niveli i ujit të lumit Sava ishte në rënie, ne ishim afër fundit të përmbytjeve, por për fat të keq moçalet dhe digat janë duke shkaktuar më shumë probleme".

Serbia po ndeshet me pasoja të rënda nga përmbytjet që kanë prekur rajonin. Të paktën 30 mijë njerëz janë evakuuar, por besohet se shumë më tepër njerëz kanë ikur nga zonat e përmbytura.

"Në shkallën e dëmit material, ne jemi goditur 10 herë më shumë se të gjitha vendet e tjera në rajon, dhe unë shpresoj se kjo nuk do të tregohet edhe në numrin e viktimave".

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një ekip ekspertësh në Serbi për të vlerësuar dëmin dhe kanë premtuar 26 ton ndihma humanitare për Ballkanin, duke përfshirë barka për operacionet e kërkim shpëtimit, shtretër, batanije, kuzhina portative, gjeneratorë dhe pompa uji.

Ministri serb i ekonomisë Dushan Vujoviç përshëndeti ndihmat humanitare të Kombeve të Bashkuara që arritën këtë javë nga Italia.

"Unë pres që këto pajisje dhe furnizime ushqimore do të shkojnë në vendet ku ato janë të nevojshme brenda një kohe të shkurtër. Unë kam listat e mallrave të ndihmës së dhënë, dhe ato do t’u jepen organizatave që merren me koordinimin dhe shpërndarjen e ndihmave''.

Në Bosnjën fqinje, qeveria thotë se ka evakuuar më shumë se një të katërtën e 4 milionë banorëve të vendit. Por disa banorë nuk pranojnë të largohen nga shtëpitë e tyre. Nevenka Gjuriç ka humbur shtëpinë e saj më parë, gjatë luftës në Bosnjë.

"Në dy ditë, çdo gjë u shkatërrua, çdo gjë që kishim arritur të rindërtonim që nga viti kur u kthyem në shtëpinë tonë. Ata thonë se duhet të largohemi, por ku mund të shkojmë tani? Ne do t'ju sistemojmë në një fshat tjetër, thonë ata. Por ne kemi bagëti, çfarë mund të bejmë me ato? Ato janë burimi jonë i vetëm i të ardhurave".

Autoritetet boshnjake kanë paralajmëruar edhe për rrezikun e minave tokësore të mbetura nga lufta trevjeçare e viteve 1990, të cilat mund të jenë zhvendosur nga përmbytjet
XS
SM
MD
LG