Lidhje

Serbia përpiqet të pengojë trafikun e paligjshëm në kufirin e saj

  • Zëri Amerikës

Serbia përpiqet të pengojë trafikun e paligjshëm në kufirin e saj

Serbia përpiqet të pengojë trafikun e paligjshëm në kufirin e saj

Serbia aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian. Por një nga problemet e saj është problemi i emigrantëve të paligjshëm, të cilët përpiqen të kalojnë në vendet e Bashkimit Evropian përmes Serbisë. Për vite me radhë, njerëz nga Afganistani, Iraku, Gjeorgjia, territoret palestineze dhe Shqipëria janë përpjekur të kalojnë në vendet e Bashkimit Evropian përmes Serbisë. Autoritetet policore po ushtrojnë kontrolle në pikat kufitare që janë përdorur nga trafikantët si vend kalimi për trafikun e qenieve njerëzore.

Për ta përballuar këtë situatë, janë shtuar përpjekjet për të ndaluar kalimin e kufirit nga imigrantët e paligjshëm, përpjekje të cilat kanë dhënë rezultate me shtimin e arrestimeve dhe ndalimeve.

Oficeri Miroljub Trivunoviç thotë se shumica e imigrantëve të paligjshëm vijnë nga Afganistani, Lindja e Mesme dhe Gjeorgjia.

“Kryesisht janë nga Afganistani, Palestina, Gjeorgjia ose vendet aziatike. Një numër më i vogël vjen nga Kosova” – thotë ai.

Imigrantët përpiqen të kalojnë për në Hungari, vend anëtar i BE-së, dhe për këtë arsye rojet kufitare serbe bashkëpunojnë nga afër me homologët e tyre hungarezë.

Çdo natë, një njësi policore nga qyteti verior i serbisë, Subotica, pranë Hungarisë, patrullon për të kontrolluar më shumë se 180 kilometrat e kufirit me fqinjin e tij të Bashkimit Europian.

Një vend shumë i i rrahur nga ata që duan të kalojnë kufirin është zona Horgos, pranë rrugës kombëtare mes Serbisë dhe Hungarisë. Imigrantët mbërrijnë me autobusë apo trena në Horgos, qytet i vogël në anën serbe, dhe presin pranë pikës së karburantit deri sa të erret.

Kur bie nata, imigrantët vrapojnë nëpër fushat me misër apo grurë, ose notojnë në lumë, për të kaluar në Hungari. Përpjekjet e tyre kanë patur sukses por tani policia e Serbisë ka marrë një grant nga Bashkimi Europian, - 6 makina të pajisura me kamera të sofistikuara, ku tregohet pozicioni dhe përcaktimi i objektivit përmes lazerit.

Patrullat pozicionohen rreth 6 mijë metra larg kufirit , duke pritur për orë të tëra ardhjen e imigrantëve në fushë. Kur njerëzit i afrohen kufirit, një tjetër patrullë policie kryen arrestimet. Zakonisht në operacione marrin pjesë njësi të policisë serbe dhe hungareze.

Sipas të dhënave të ministrisë së brendshme të Serbisë, policia kufitare në Suboticë ka arrestuar më shumë se 400 njerëz që nga ardhja e makinave të reja.

Mbas arrestimit, imigrantët e paligjshëm bëjnë 30 ditë burg dhe më pas dërgohen në një qendrë pritjeje në periferi të Beogradit, në Padinska Skela.

Drejtuesi i kësaj qender Dragan Dubljeviç thotë se ndoshta duhen muaj për të zbuluar identitetin e vërtetë të imigrantëve, sidomos kur janë nga vende që nuk kanë përfaqësitë e tyre në Serbi.

“E para, ne duhet të gjejmë identitetin e tyre, cilët janë, nga cilat vende, mënyrën e hyrjes në Serbi , qëllimet e tyre, pse kanë ardhur dhe ku donin të shkonin”

Disa prej të arrestuarve kërkojnë strehim në Serbi.

Agjencitë botërore thonë se grupet nga Ballkani janë udhëkalimet kryesore të krimit të organizuar. Ministri i Brendshëm i Serbisë Ivica Daçiç thotë se grupet e krimit merren me pastrim parash, trafik droge, armësh dhe imigrantësh të paligjshëm.

‘Është e qartë se nuk ka grupe që kufizohen vetëm në aktivitete kriminale. Një pjesë e madhe është përfshirë në trafikun e drogës, por dhe në krime të tjera si vrasje, vjedhje, gjoba apo rrëmbime, sikurse dhe në trafikune armëve, trafikun njerëzor dhe imigracionin e paligjshëm”.

Masat e marra kanë trembur disi trafikantët dhe imigrantët e paligjshëm dhe sipas të dhënave të policisë rrugët e trafikut kanë ndryshuar; ato kalojnë nga Kosova për në Shqipëri me pikësynim Italinë përmes detit Adriatik.

Trafikantët marrin zakonish 2000 – 3000 euro për të dërguar kontrabandë një njeri në një vend të Bashkimit Europian.

Bashkimi Europian i ka kërkuar Serbisë që të luftojë krimin, korrupsionin, nepotizmin dhe burokracinë si kusht për të ecur drejt anëtarësimit.

XS
SM
MD
LG