Lidhje

Shqiptarët në Luginën e Preshevës zgjedhin Këshillin Kombëtar


Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve synon përmirësimin e të drejtave në arsim, kulturë, informim e përdorim zyrtar të gjuhës shqipe

Shqiptarët në luginën e Preshevës votojnë sot përbërjen e re të Këshillit Kombëtar të tyre. Një pjesëmarrje e ultë e 33 mijë votuesve të regjistruar karakterizoi votimet e sotme për Këshillin Kombëtar në komunat me shumicë shqiptare në pjesën jugore të Serbisë.

Këshilli Kombëtar që përbëhet nga 15 anëtarë, është themeluar në korrik të vitit 2010 në funksion të realizimit të të drejtave në fushat e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Themelimi i tij pasoi miratimin në parlamentin serb në gusht të vitit 2009, të ligjit për Këshillat Kombëtare të pakicave.

Këshilli Kombëtar synon përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve, që jetojnë në Luginën e Preshevës, të cilat, sipas përfaqësuesve politikë të tyre janë larg realizimit të tyre.

Ata shpresojnë që komuniteti ndërkombëtarë të ushtrojë më shumë trysni tek qeveria serbe për të trajtuar më seriozisht gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Udhëheqësit politik të zonës thonë se situata në Luginë vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001 kur mori fund konflikti ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Ata presin që edhe procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të krijojë hapësirë për përmirësim të gjendjes edhe në Luginën e Preshevës.

XS
SM
MD
LG