Lidhje

Protesta në Serbi kundër fitores së Aleksandër Vuçiçit


Mijëra veta morën pjesë në tubime të qeta në Beograd dhe disa qytete tjera të Serbisë, për të protestuar kundër fitores së kryeministrit Aleksandër Vuçiç në zgjedhjet presidenciale të së dielës.

Protestuesit, që thonë se janë pjesë e një organizimi nëpër rrjetet sociale, por nuk bartin flamuj e as shenja partiake, brohoritën "Jo diktaturës", Liri mediave", "Vuçiç nuk është presidenti im", etj.

Aleksandër Vuçiç, 47 vjeçar fitoi 55 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, duke konfirmuar dominimin mbi vendin ballkanik derisa po udhëheqë një politikë drejtpeshimi ndërmjet Evropës dhe Rusisë.

Ndonëse posti i presidentit është ceremonial, pritet që ai të emërojë një aleat në postin e kryeministrit si dhe të transformojë pozicionin e presidentit në një zyrë prej nga mund të kontrollojë jetën politike të vendit me 7.2 milionë banorë.

Kritikët e tij paralajmërojnë se ai po kërkon të kopjojë llojin e autokracisë së Rusisë nën Vladimir Putinin, që i dha mbështetje kandidaturës së tij. Rivalët e kanë akuzuar zotin Vuçiç për përbaltje të kandidatëve, për kontroll të medieve dhe për frikësim të votuesve.

Zoti Vuçiç, një ish-ministër i informacionit dhe propagandist i vijës së ashpër nën presidentin Sllobodan Millosheviç i kundërshton akuzat.

Serbia u bë republikë e pavarur në vitin 2006, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Serbia është vend kandidat për në BE që në vitin 2012 dhe ka filluar negociatat për anëtarësim në vitin 2014 si kundërshpërblim për angazhimin në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG