Lidhje

Cilën anë do të mbajë Serbia?


Bashkimi Evropian është duke zgjeruar sanksionet kundër Rusisë, mes njoftimeve për luftime të reja në Ukrainë që kërcënojnë një marrëveshje të brishtë armëpushimi. Sanksionet e reja do të godasin ndërmarrjet shtetërore ruse të naftës. Sanksionet vijnë si pasojë e rolit të Rusisë në konfliktin e Ukrainës lindore. Tensionet e krijuara nga ky konflikt kanë forcuar disa aleanca dhe kanë prishur të tjera, por për Serbinë, zgjedhja e aleatit është kthyer në një dilemë të vështirë. Pra, cilën anë do të mbajë Serbia?

Serbia e gjen veten në mes Bashkimit Evropian dhe Moskës. Çështja me të cilën përballet Beogradi është: A i intereson të prishet me Brukselin dhe të rrezikojë ambiciet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian?

Apo duhet të heqë dorë nga ky objektiv dhe të kërkojë lidhje më të ngushta me aleatin tradicional sllav, Rusinë?

Radivoje Miljanic, pronari i kafenesë me emrin 'Putin' në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë, nuk ka iluzione se në cilin drejtim duhet të shkojë vendi.

Radivoje Miljanic, pronar i kafenesë 'Putin'

"Mendoj se qeveria jonë po bën një gabim të madh që po ulet në dy karrige. Ajo nuk duhet të lejojë shantazhin e vazhdueshëm nga Evropa dhe Amerika," thotë zoti Miljanic. Ai beson se e vetmja shpresë për Serbinë është të largohet nga rruga pro-perëndimore dhe "të rikthehet tek nëna Rusi, të bashkohet me integrimet e saj euro-aziatike."

Ai nuk është i vetmi që mendon kështu. Tregu në Beograd është i mbushur me bluza ku shkruhen fjalët Rusi dhe Serbi, si dhe imazhe të Presidentit Putin, të cilin e quajnë "vëllai sllav '.

Por, ndonëse disa në Serbi kanë një ide të qartë se me cilin janë, vendimi i fundit i Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, e ka shtuar trysninë mbi qeverinë që ajo të bëjë një deklaratë të qartë për ambiciet dhe aleatët e saj politikë.

Kryeministri serb, Aleksandar Vucic thotë se anëtarësimi në BE është "synimi strategjik" i vendit, por ai shton se "Serbia nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë."

Aleksandar Vucic, Kryeministër i Serbisë

"Ne do të respektojmë vullnetin e Bashkimit Evropian. E ppërsëris se anëtarësimi në BE është synimi strategjik i Serbisë. Në të njëjtën kohë, Serbia nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë, kjo është politika e qeverisë serbe," thotë zoti Vucic.

Ky qëndrim ka mbështetjen e elektoratit nacionalist të zotit Vucic, i cili e bëri atë një figurë popullore në skenën politike serbe, të ngjashëm me Putinin në Rusi.

Serbia nuk u bë kurrë pjesë e bllokut sovjetik dhe në të kaluarën ka patur disa periudha të turbullta në marrëdhëniet me Rusinë. Megjithatë, Rusia e sheh atë si një nga aleatët e saj të fundit në Ballkan.

Nëse Serbia del kundër Rusisë, kjo mund të kishte pasoja shkatërrimtare për ekonominë e saj në amulli, sidomos sepse një pjesë e mirë e sektorit të saj të energjisë kontrollohet nga Gazpromi rus.

Por, në qoftë se Serbia ka vendosur që të braktisë BE-në dhe të kthehet nga Rusia, ajo mund të izolohet nga fqinjët e sat, të cilët ose janë duke kërkuar anëtarësim në Bashkimin Evropian, ose janë tashmë pjesë e tij.

Por në Serbi, ndjenjat anti-perëndimore kanë qenë të dukshme që nga bombardimet e NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999 për shkak të Kosovës.

Dhjetëra vullnetarë serbë u janë bashkuar separatistëve pro-rusë në Ukrainë, megjithë paralajmërimet e autoriteteve serbe se ata mund të arrestohen dhe të dënohen kur të kthehen.

Mbishkrimet në rrugët e Beogradit flasin për prirje pro-ruse, edhe pse serbët kanë mendime të ndryshme se në cilin drejtim duhet të shkojë vendi.

"Duhet të shkojmë me Bashkimin Evropian nuk kam asnjë dilemë," thotë kjo banore.

Por Stojan Stojcic nuk mendon kështu:

"Ne duhet të kthehemi nga Rusia dhe jo nga BE-ja. Ne nuk kemi punë me BE-në," thotë Stojcic.

Deri tani, Serbia mund të ketë mbajtur qendrim të paanshëm, por nëse dëshiron të ecë drejt anëtarësimit në BE, asaj do t'i duhet të zgjedhë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG