Lidhje

Rusia përpiqet të rrisë influencën në Ballkan


Kryeministri i Serbisë Aleksander Vuçiç siguroi zyrtarët e BE që po vizitonin dje Beogradin se vendi i tij mbetet i përkushtuar për anëtarësim në bllokun evropian, por ai paralajmëroi se serbët duan të vazhdonë lidhjet tradicionale edhe “me miqtë e Lindjes”.

Në muajt e fundit, aleatët e Serbisë në Kremlin kanë qenë më aktivë, thonë zyrtarët dhe analistët perëndimorë. Ata i kanë ofruar mbështetje Serbisë në forma nga më të ndryshmet, që nga ndihmat pas katastrofave natyrore e deri tek armatime të sofistikuara, përfshirë avionë luftarakë. Duket se Kremlini po përpiqet të forcojë ndikimin në Ballkan, një rajon që Moska e ka parë historikisht si pjesë e sferës së saj të influencës, thonë analistët.

Ofensiva diplomatike e Moskës me sa duket po jep rezultat. Një anketë e fundit e organizatës Gallup tregon se shumica e serbëve e shohin Moskën si një aleate më të besueshme se NATO-n, ku Beogradi shpreson të antarësohet një ditë.

“Serbia po ndjek rrugën drejt Evropës, pasi ne besojmë se na takon një vend në një shoqëri evropiane, duam të bashkohemi me vende që besojnë në demokraci, sipërmarrje dhe të drejtat e njeriut” tha Kryeministri Vuçiç në takimin me zyrtarët evropianë.

Ai paralajmëroi se shpesh serbët e thjeshtë “e shohin BE si një mjet presioni lidhur me Kosovën”. Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet i pavarur.

Shumë serbë e mirëpritën fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane, pasi kundërshtonin kandidaturën e Hillary Clintonit, gjë që pasqyron zemërimin që ruajnë shumë serbë për fushatën e bombardimit nga NATO në 1999, të zhvilluar gjatë administratës së Presidentit Bill Clinton.

Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë se mbështetja amerikane për Kosovën mbetet e pandryshuar edhe gjatë administratës së Presidentit Donald Trump.

Ambasadorja e re amerikane në OKB, Nikki Haley ka bërë thirrje për antarësim me të drejta të plota të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG