Lidhje

Serbia: Jo sanksione ndaj Rusisë


Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha sot se vendi i tij nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe nuk do të frenojë eksportet e ushqimit drejt këtij vendi, pavarësisht presionit nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri serb Vuçiç i bëri komentet gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin Beograd. Serbia, një aleat tradicional i Rusisë, që kërkon anëtarësim në BE, duket se po shpreson të përfitojë nga vendimi i Rusisë për të mos importuar artikuj bujqësorë nga Perëndimi, duke shtuar eksportet e veta ushqimore.

Zoti Vuçiç tha se qeveria e tij do të pranojë kërkesat e BE-së për të mos subvencionuar eksportet drejt Rusisë, por shtoi se nuk do të ndalonte kompanitë vendase të zgjedhin marrëveshjet e tyre të tregtisë:

“Nuk ka nevojë për subvencione shtesë për eksportin e mallrave në Rusi. Ne do të respektojmë vullnetin e Bashkimit Evropian. Dua të përsëris se është qëllim strategjik i Serbisë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian,” tha ai.

Pasi SHBA-ja dhe BE-ja vendosën sanksione mbi bankat shtetërore dhe industritë e mëdha ruse muajin e kaluar për çështjen e krizës në Ukrainë, Rusia u përgjigj me një ndalim të gjerë tregtar duke filluar nga produktet ushqimore të importuara nga këto vende. BE-ja ka paralajmëruar vendet kandidate të përmbahen nga "shfrytezimi" i masave ndaluese të Rusisë duke rritur eksportet e tyre.

Ndërkohë, ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier deklaroi sot se harmonizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, do t’i hapte vendit rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Duke folur në Berlin, gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij serb Ivica Daçiç, zoti Steinmeier tha se ka ardhur momenti që Serbia të normalizojë më tej marrëdhëniet e saj me Kosovën.

"Natyrisht ky moment i favorshëm duhet përdorur për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve. Kjo do të hapë rrugën për hapat e mëtejshme në procesin e hyrjes të Serbisë në BE," tha Steinmeier.

Ministri i jashtëm serb Daçiç, i cili ndodhet në Berlin për bisedime dypalëshe gjermano-serbe si dhe për të diskutuar në Konferencën e shteteve të Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet në këtë qytet më 28 gusht, tha gjithashtu se është i bindur lidhur me vazhdimësinë pozitive të marrëveshjes së normalizimit me Kosovën, që u nënshkrua në Bruksel në vitin 2013.

"Për të gjithë ne është shumë e rëndësishme që zbatimi i marrëveshjes së normalizimit me qeverinë e re në Prishtinë të funksionojë dhe që të zbatojmë atë për të cilën është rënë dakord në Bruksel dhe të cilën unë e kam nënshkruar. Ne gjithashtu presim arritje të mëtejshme me komunitetet serbe, pas zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në Kosovë," tha Daçiç.

Ministri i jashtëm serb tha gjithashtu se vendi i tij ishte i gatshëm të luante një rol më të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon gjatë udhëheqjes së radhës së OSBE-së.

Ndërkohë që Serbia merr përsipër presidencën e OSBE-së nga Zvicra në vitin 2015, ministri i jashtëm gjerman tha se roli i organizatës do të marrë një vrull të ri, me Serbinë nga e cila pritet të luajë një rol "të rëndësishëm" në kuadër të konfliktit në Ukrainë lindore.

XS
SM
MD
LG