Lidhje

Sheshel kthehet në Serbi


Ultra nacionalisti serb Vojislav Sheshel u kthye në Beograd pasi Gjykata ndërkombëtare për krime lufte në Hagë, e liroi atë përkohësisht, për shkak të gjendjes shëndetësore.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara i dha mundësi atij të kërkojë trajtim mjekësor në Serbi, me kusht që të mos ndërhyjë tek viktimat apo dëshmitarët dhe që të kthehet në Hagë kurdo që kjo i kërkohet nga Gjykata.

Mjekët serbë që e kontrolluan atë kohë më parë thanë se ai vuan nga kanceri në zorrën e trashë që i është shpërndarë edhe në veshka.

Qindra mbështetës dolën ta përshëndesin atë kur arriti në aeroportin e Beogradit nga Amsterdami.

Vojislav Sheshel, 60 vjeçar, ndodhej në Hagë që nga vitit 2003 ku është gjykuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit përgjatë luftërave në fillim të viteve nëntëdhjetë, që çuan në shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

Vojislav Sheshel, që drejton Partinë Radikale, u zotua për të rrezuar nga pushteti presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç dhe kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç, të cilët ishin zyrtarë të lartë të partisë së tij para se të ndaheshin në vitin 2008, e të formonin Partinë Përparimtare serbe. Ai i cilësoi ata si të shitur tek fuqitë perëndimore.

Në një fjalim para mbështetësve që ishin mbledhur për ta pritur ai tha se Gjykata e Hagës është “një bishë e plagosur globaliste, e cila vazhdon të shkatërrojë jetët e udhëheqësve politik e ushtarak serb”.

“Ju kam premtuar se do ta dërmoj gjykatën. Beteja ka zgjatur më shumë se sa kam pritur”, tha ai.

Lirimi i përkohshëm i shefit të radikalëve serb, nxiti zemërim në Bosnjë ku ai ishte përfshirë në krime lufte.

“Viktimat janë të indinjuara. Nuk ka drejtësi. Askush nuk kujdeset për viktimat, vetëm për kriminelët”, tha në Sarajevë, Munira Subashiq, presidente e Shoqatës së Nënave të Srebrenicës.

Rreth tetë mijë burra u vranë në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë pasi ajo u pushtua nga forcat serbe. Srebrenica ishte shpallur në atë kohë zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG