Lidhje

OSBE-ja lehtëson zgjedhjet presidenciale e parlamentare serbe në Kosovë


Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, konfirmoi sonte marrëveshjen me Beogradin, për, siç është thënë, “lehtësimin” e organizimit të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë. Kryesuesi i radhës së kësaj organizate, Imon Gilmor citohet të ketë thënë se kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm me palët e përfshira, së bashku sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, “për t’i nxitur ata që të kenë një qasje pozitive”.

“Është me rëndësi thelbësore që zgjedhjet të mbahen sipas marrëveshjes së arritur dhe duke respektuar plotësisht rolin e OSBE-së. Nëse nuk ndodh kështu, OSBE-ja rezervon të drejtën për t’u tërhequr nga roli lehtësues,“ citohet të ketë thënë zoti Gilmor.

Në një komunikatë për opinion të OSBE-së, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Lamberto Zannier, citohet të ketë thënë se “tashmë OSBE-ja ka nisur përgatitjet për organizimin e qendrave të votimit, për t’u mundësuar votuesve në Kosovë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në këto zgjedhje.”

Por, OSBE-ja nuk ka dhënë hollësi të tjera se si do të organizohen këto zgjedhje, ndonëse kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë deri në mbajtjen e tyre.

Qeveria e Kosovës – mbështetë OSBE-në

Vendimi i OSBE-së është mirëpritur nga qeveria e Kosovës, e cila nëpërmjet një komunikate thekson se ky vendim është i bazuar në parimet dhe vlerat evropiane. “Ky veprim është në harmoni me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit (Martti) Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës e cikla thekson se në ditën e zgjedhjeve serbe “do të hapen qendra mobile votimi, do të ketë vetëm simbole të OSBE-së, ndërsa numërimi do të bëhet jashtë territorit të shtetit të Kosovës, në mungesë të Ambasadës së Serbisë në Republikën e Kosovës, dhe anasjelltas”.

Në komunikatë thuhet se “vendimi i OSBE-së pasqyron qëndrimet dhe parimet e panegociueshme dhe vijat e kuqe të Kosovës për këtë çështje. Qeveria e Kosovës vlerëson se ky është një hap i madh për shtetin e Kosovës, sepse për herë të parë Serbia është pajtuar që të mos organizojë asnjë lloj zgjedhjesh në Kosovës, 13 vite pas përfundimit të luftës”.

Përfshirja e OSBE-së në organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, ishte kërkuar nga institucionet e Kosovës, për të mundësuar votimin e qytetarëve serb në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë.

Diplomatët perëndimorë në Prishtinë mirëpresin marrëveshjen

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, mirëpritën marrëveshjen e arritur nga OSBE-ja për lehtësimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

Në një komunikatë për opinion të lëshuar nga ambasada amerikane në Prishtinë thuhet se “qeveritë e Kosovës dhe Serbisë duhet të përgëzohen për gatishmërinë e tyre për t’ua siguruar votuesve me të drejtë vote mundësinë për të ushtruar të drejtat e tyre demokratike. Ne i jemi mirënjohës OSBE-së për gatishmërinë e saj për të ndërmarrë këtë detyrë sfiduese në afat të shkurtër dhe i ofrojmë mbështetjen e plotë ekipit të misionit të OSBE-së në Kosovë”, thuhet në komunikatë në të cilën u bëhet thirrje të gjithë qytetarët që të ndihmojnë për të ruajtur një mjedis të qetë dhe paqësor ashtu që OSBE-ja të mund të kryejë punën e saj në kushte të qeta dhe të sigurta.

Beogradi zyrtar vendosi të heqë dorë nga synimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, meqë nuk ka siguruar as mbështetjen e mekanizmave ndërkombëtarë, por ky qëndrim po sfidohet nga përfaqësuesit politike të serbëve në veriun e Kosovës të cilët thanë se do të organizojnë zgjedhje në të paktën dy komuna.

Autoritetet në Kosovë thanë se kanë hartuar një plan të veçantë për të penguar çdo përpjekje për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë, ndërsa u bënë thirrje mekanizmave ndërkombëtarë që të pengojnë synimet e tilla edhe në veriun e Kosovës nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës. Ata thanë se nuk do të lejojnë as veprimtari politike për zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë. Në këtë kuadër mbrëmë policia e Kosovës, ka konfiskuar materialet propagandistike të Partisë Radikale serbe në Graçanicë afër Prishtinës.

Opozita serbe ka akuzuar qeverinë e Serbisë se po heq dorë nga Kosova me mos mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe me pajtimin që edhe votat për zgjedhjet e përgjithshme të numërohen në Serbi.

Afrimi i zgjedhjeve serbe, bëri që NATO-ja të vendosë shtimin e forcave të saj në terren. Gjatë këtyre ditëve 5 mijë e 800 trupave të KFOR-it u janë bashkuar edhe 550 ushtarë gjerman dhe 150 austriak për të mbështetur ruajtjen enjë mjedisi të qetë gjatë periudhës kur mbahen zgjedhjet e Serbisë.

XS
SM
MD
LG