Lidhje

Vukçeviç: Rasti Bytyçi - krim shtetëror


Trupat e tre vëllezërve Bytyçi kthehen në SHBA

Trupat e tre vëllezërve Bytyçi kthehen në SHBA

Prokurori serb për krime lufte Vladimir Vukçeviç, tha se shumë nga të dyshuarit për vrasjen e tre shtetasve amerikan me prejardhje nga Kosova, janë ende në pozita shtetërore.

Prokurori serb për krime lufte Vladimir Vukçeviç, tha se janë shënuar përparime në procesin e ndriçimit të vrasjes së tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikan me prejardhje nga Kosova.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në përfundim të luftës në Kosovë, ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur në varrezë masive me duar të lidhura me tela.

Prokurori serb tha se vrasja e tyre ishte “krim shtetëror” dhe “shumë nga të dyshuarit edhe sot e kësaj dite janë në pozita të rëndësishme shtetërore”.

Ai i tha të përditshmes serbe “Danas” se rasti Bytyçi, është lënda kryesore e prokurorisë

Mund të them se kryeministri (Aleksandër) Vuçiç ka mobilizuar të gjithë ministrat, organizatat dhe individët që mund të ndihmojnë prokurorinë për krime lufte dhe ministrinë e brendshme që të zgjidhin këtë krim dramatik”, tha ai.

Ai tha se vrasja e tyre ishte krim shtetëror.

Disa e shohin këtë krim të pashembullt si vazhdimësi të luftës kundër NATO-s, gjë që është e palejueshme për një shtet të qytetëruar. Ka dhe ka pasur shumë probleme, pengesa që kanë mundur edhe te rrezikojnë jetët e njerëzve që merren me hetimet. Por, dje ai ishte një krim shtetëror, ndërsa sot shteti është i vendosur të zgjidhë këtë krim”, tha ai.

Çështja i ri aktualizua në Serbi në prag të vizitës së kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç në Washington më 15 shtator kur ai pret të takohet me nënpresidentin amerikan Joe Biden, takimi me të cilin në qershor dështoi për shkak se zoti Biden humbi të birin.

Kryeministri serb e ka cilësuar rastin e vëllezërve Bytyçi si një nga “çështjet e hapura që vazhdon të rëndojë marrëdhëniet amerikano-serbe”.

Në tetor të vitit 2013, ligjvënësit amerikanë Eliot Engel dhe Michael Grimm paraqitën në Kongres një rezolutë me të cilën kërkohej që Beogradi të ndjekë autorët e vrasjes, duke nënvizuar se përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, apo mungesa e tij, duhet të jetë faktor thelbësor në vendosjen e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

Që nga viti 2006, janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Byrtyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë. Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

avokatët e familjes Bytyçi, kanë hedhur në disa raste dyshime në gatishmërinë e autoriteteve serbe për të zgjidhur këtë çështje.

Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd, shkruante në fillim të verës se dëshmitë flasin që vrasja e vëllezërve Bytyçi është urdhëruar nga qarqe të larta të qeverisë jugosllave dhe nëpërmjet Goran Radosavleviçit, i njohur me nofkën Guri, një ish gjeneral i policisë serbe. Aktualisht ai është në Këshillin Drejtues të Partisë Përparimtare serbe të kryeministrit Vuçiç.

XS
SM
MD
LG