Lidhje

Vuçiç: Vend për kompromis Serbi-Kosovë


Zv.kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksander Vuçiç tha se Serbia nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës

Zëvendës kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë Aleksander Vuçiç tha se gjetja e një zgjidhjeje për Kosovën do të jetë e vështirë dhe se Serbia duhet të përpiqet të përfitojë sa më shumë që të mundet.

“Zgjidhja e çështjes së Kosovës është e vështirë. Detyra jonë është, siç e kam thënë më parë, të përfitojmë sa më shumë për njerëzit tanë dhe të humbasim sa më pak që të jetë e mundur.”

Në një intervistë sot për agjencinë Reuter, zyrtari i lartë serb tha se Serbia nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, por shtoi se Beogradi është i gatshëm të bisedojë dhe është i gatshëm për kompromis.

Komentet e zyrtarit serb bëhen në një kohë kur të dy palët e kanë ngritur nivelin e negociatave në nivel kryeministrash dhe bisedimet po zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian. Serbia synon të arrijë përparim të mjaftueshëm për të siguruar anëtarësinë në Bashkimin Evropian.

Problemi kryesor mes të dy palëve është çështja e veriut të Kosovës e banuar me shumicë serbe ku Prishtina nuk ka ende kontroll.

XS
SM
MD
LG