Lidhje

OSBE po organizon zgjedhjet e Serbisë në Kosovë


kosovo osce
kosovo osce

Serbët e Kosovës po votojnë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, nën përkujdesjen e Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Serbët e Kosovës po votojnë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës.

Votimet po mbahen nën përkujdesjen e Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë e cila po drejton operacionin e quajtur grumbullimi i votave. Ajo ka hapur sot dhjetë qendra të grumbullimit dhe në mbrëmje kjo organizatë do të mbledhë votat dhe do t’i dërgojë në dy qytete në Serbi në Rashkë dhe Vranje, por nuk do të jetë pjesë e numërimit të tyre.

Operacioni i kësaj organizate po sigurohet nga policia e Kosovës me mbështetjen e EULEX-it dhe Forcave paqeruajtëse.

Zgjedhjet e përgjithshme serbe ishin mbajtur edhe më parë në Kosovë. Në vitin 2012 Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë kishte hapur 90 vendvotime në 28 pjesë të ndryshme të Kosovës. Dallimi i vetëm këtë radhë është në numrin e vendvotimeve dhe emërimin e tyre që në vend të qendrave të votimit sivjet flitet për qendra grumbullimi.

Autoritetet serb vendosën të mbajnë zgjedhjet e parakohshme pak ditë pasi Serbia hapi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Hapja e këtyre bisedimeve me 21 janar ishte shpërblim për përfshirjen e saj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Zgjedhjet parlamentare serbe po mbahen edhe në luginën e Preshevës, por në to është përfshirë vetëm Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit, ndërsa ato po bojkotohen nga partitë tjera në tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Debatet rreth pjesëmarrjes apo jo në zgjedhje ishin përqendruar rreth pozitës së shqiptarëve në zonë dhe ndikimit që mund të kishin zgjedhjet për pushtetin qendror të Serbisë, që sipas partive të atjeshme politike nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për përmirësimin e gjendjes në Luginën e Preshevës.
XS
SM
MD
LG