Lidhje

Athina përfshihet përsëri nga grevat

  • Zëri Amerikës
  • Uashington

Greqia u përfshi nga vala e fundit e grevave në protestë ndaj masave të rrepta të kufizimeve financiare. Transporti publik nuk funksionoi sot në Athinë, ndërsa gazetarët nuk transmetuan në radio dhe televizion. Pritet që nesër të mos ketë gazeta.

Turistë të nervozuar kërkonin taksi, apo makina të tjera, ndërsa banorët përdorën makinat e tyre për të shkuar në punë, duke shkaktuar bllokim trafiku dhe vonesa në rrugë ndërsa autobuzët, trenat dhe metroja pushuan së funksionuari.

“Sigurisht që na prish punë sepse duhet të shkojmë në shumë vende, si aeroporti. Është problem. Nuk ka taksi të mjaftueshme, transporti publik është më i lirë, prandaj kjo shkakton probleme ekonomike dhe praktike”, thotë një banor i Athinës.

Edhe turistët që donin të shkonin në aeroport ose të vazhdonin pushimet, u penguan nga greva.

“Greva na krijoi probleme. Në fillim na u desh të ndryshonim planet për shkak të grevës së British Airways. Dje na u desh të prisnim për rreth një orë tragetin për shkak të grevës së peshkatarëve, kështuqë na u desh të merrnim taksi për në aeroport. Tani vetëm shpresojmë që të kthemi në shtëpi në Medison të Uiskonsit”, thotë Andi Folker, një turist amerikan.

Edhe gazetarët ishin në grevë sot për shkak të reformave të sistemit të pensionit. Si pasojë nuk pati transmetime radioje dhe televizioni.

Tre muajt a kaluar në Greqi janë shënuar nga një valë grevash dhe protestash nga grupe të ndryshme punonjësish për këto masa, në bazë të të cilave kanë rënë të ardhurat dhe pensionet përmes shkurtimeve të shpërblimeve dhe sigurimeve, reformës në pension, ngrirjes së rrogave dhe punësimit, si edhe rritjes së taksave.

Pavarësisht nga grevat dhe protestat, disa prej të cilave të dhunshme, qeveria nuk i është nënshtruar pakënaqësisë së publikut, duke thënë se duhet të vazhdojë me masat për të lehtësuar një borxh kombëtar masiv.

Masat ishin parashikuar në një marrëveshje për të siguruar një paketë të sigurt financiare nga Bashkimi Evropian dhe FMN-ja.

Një tubim masiv proteste është parashikuar në fundjavë nga dy sindikatat kryesore të vendit. Analistët po ndjekin zhvillimet për të parë nëse qeveria do të vazhdojë të zbatojë reforma, apo do t’i nënshttrohen presionit të publikut.

XS
SM
MD
LG