Lidhje

Serwer: Çdo bllokim i pikëkalimeve Kosovë-Serbi çon në dhunë


Serwer: Çdo bllokim i pikëkalimeve Kosovë-Serbi çon në dhunë
Serwer: Çdo bllokim i pikëkalimeve Kosovë-Serbi çon në dhunë

Daniel Serwer, ekspert për Ballkanin në Uashington, thotë se çdo bllokim i pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë çon në dhunë dhe nuk është ide e pëlqyeshme. Zoti Serwer jep leksione në Qendrën e Marrëdhënieve Ndëratlantike pranë institutit SAIS.

“Si bllokimet e pikakëkalimeve nga serbët, si ato nga partia e Albin Kurtit nuk janë veprime të mënçura. Ato çojnë në dhunë. Dhe çdo gjë që çon në dhunë në situatën e tanishme në Kosovë është një ide jo e mirë. Mendoj se zoti Kurti dhe njerëzit e tij po përpiqen të fitojnë përsëri vota por ata po e bëjnë këtë duke tejkaluar rregullat e lojës demokratike. Mendoj se atyre u duhet thënë të ndalen dhe nëse nuk ndalen, besoj se administrata në Prishtinë do të marrë masat e duhura ligjore për t’i dhënë fund kësaj. Ky është një gabim i madh për Kosovën. Kosova dhe qëndrimi i saj i përmbajtur, gatishmëria për të diskutuar me Serbinë se si duhet menaxhuar kufiri i ka dhënë asaj mjaft besueshmëri në komunitetin ndërkombëtar. Ajo që po bën zoti Kurti po e dëmton këtë besueshmëri, e kam fjalën natyrisht për besueshmërinë e qeverisë së Hashim Thaçit dhe jo të tijën personale. Por natyrisht këtu flasim për kredibilitetin e vendit dhe Kosova do të humbasë nga veprimet e zotit Kurti,” tha analisti Daniel Serwer.

Zoti Serwer do të shkojë së shpejti në Serbi për të dëgjuar mendimet e zyrtarëve në Beograd mbi çështje që lidhen me Kosovën. Ai tha se idetë e shprehura nga Presidenti Boris Tadiç për sovranitetin e Kosovës janë të paqarta dhe nuk ofrojnë ndonjë zgjidhje.

“Presidenti Tadiç ka filluar të flasë mbi një sovranitet të dyfishtë për Kosovën. Nuk e di se çfarë nënkuptohet me këtë dhe sinqerisht nuk di të ketë ndonjë vend në botë ku ka dyshime se kush është sovrani. Mendoj se sa herë që ka dyshime se ku është kufiri apo se kush është sovran, sidomos në çështje territoresh, atëhere gjithnjë ka konflikte. Shpresoj se një ditë Serbia do të pranojë një farë qartësie rreth Kosovës dhe kjo ka të bëjë me pranimin e një Kosove sovrane dhe të pavarur. Nuk besoj se është nevoja që njohja të jetë e dyanshme, mjafton që Kosova të lejohet të njihet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që është edhe mënyra se si janë njohur shumica e vendeve. Mendoj se grindjet lidhur me veriun nuk janë dinjitoze për Serbinë sepse atje kemi të bëjmë me veprimtari kriminale, me nacionalistë ekstremë të cilët sot nuk kanë ndonjë ndikim real brenda Serbisë. Mendoj se ka ardhur koha që Beogradi t’u thotë atyre se duhet të pranojnë planin Ahtisaari, i cili u jep mjaft autonomi si dhe të pranojnë kufirin aty ku është sot. Të them të drejtën, Serbia nuk ka ndonjë avantazh duke marrë një copë të vogël toke të Kosovës ku nuk ka monumente të rëndësishme serbe. Pra Serbia po i bën vetes një dëm të madh pa fituar ndonjë gjë”.

XS
SM
MD
LG