Lidhje

Serwer për zgjedhjet në Serbi

  • Laura Konda

Në një intervistë për Ditarin, analisti Daniel Serwer komenton për perspektivën e Serbisë pas zgjedhjes së Tomislav Nikoliҫit në postin e presidentit.

“Shpresoj që Presidenti i porsazgjedhur i Serbisë, Tomislav Nikoliç do t’i ruajë ambiciet evropiane të Serbisë dhe do të njohë rëndësinë e përmirësimit të marrëdhënieve me Prishtinën”, thotë në një intervistë për “Ditarin” analisti për Ballkanin Daniel Serwer, profesor në Universitetin “John Hopkins”. Zoti Serwer thotë se në Ballkan ekziston rreziku i nacionalizmit, por sot ka një kundërpeshë për të dhe kjo është Evropa.













Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, për shumë vetë fitorja e Tomislav Nikoliçit në zgjedhjet e Serbisë ishte një surprizë. A ishte i pritshëm për ju ky rezultat?

Daniel Serwer: Unë nuk e prisja këtë rezultat, por nuk u çudita shumë, edhe pse nuk dihej që rezultati do të ishte kaq i ngushtë. Zgjedhjet nuk do të kishin kuptim, në se rezultati do të ishte i sigurt.

Zëri i Amerikës: Zoti Nikoliç njihet për pikëpamjet e tij nacionaliste. Sipas jush përse votuan serbët për të? Apo ishte kjo një votë kundër qeverisë së mëparshme dhe situatës ekonomike që po përjeton vendi?

Daniel Serwer: Sigurisht, që ishte një votë kundër qeverisë së mëparshme dhe e vetmja alternativë e zbatueshme në Serbi, është alterantiva nacionaliste. Natyrisht, që ka edhe disa parti të vogla, si ajo e Ivanoviçit, por ajo ka një elektorat shumë të vogël. Alternativa e vetme e zbatueshme është ajo nacionaliste.

Zëri i Amerikës: A mendoni se Bashkimi Evropian u nxitua me dhënien e statusit kandidat Serbisë, a ishte ky një veprim i parakohshëm?

Daniel Serwer: Nuk jam i sigurtë, Serbia më duket ishte pranë plotësimit të kritereve për statusin e vendit kandidat por ajo që nuk është dhënë akoma është data për fillimin e negociatave dhe kjo është e rëndësishme, sepse fondet për zgjerimin që jep BE-ja vijnë vetëm me datën dhe jo me ftesën e kandidatit. Më duket se BE duhet të tregohet e mençur, duke u treguar shumë strikte dhe e qartë në kërkesat e saj për caktimin e datës për fillimin e negociatave. Do të ishte budallallëk të filloheshin negociatat me Serbinë në një kohë që marrëveshjet me Kosovën nuk zbatohen. Të paktën duhet këmbëngulur në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe një përmirësim të ndjeshëm të marrëdhënieve me Kosovën
.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, zoti Nikoliç gjatë fushatës deklaroi se Serbia do ta braktiste procesin e integrimit, në se njohja e Kosovës vendoset si parakusht për vendin e tij.

Daniel Serwer: Nuk mendoj se njohja e Kosovës duhet caktuar si parakusht për Serbinë. Njohjet dy-palëshe nuk janë gjithmonë të nevojshme dhe kur vendi është anëtar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kjo gjë mund të mos ndodhë kurrë. Mendoj se Nikoliçi duhet rishikojë marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën dhe kushtet që duhet të plotësojë vendi për t’u pranuar në BE, që sipas pikëpamjes sime duhet të jetë objektivi i tij kryesor. Në se ky nuk është objektivi i tij, atëhere Evropa nuk ka përse të tregohet e butë lidhur me marrëdhëniet me Kosovën, madje duhte të tregohet sa më e ashpër që të jetë e mundur...

Zëri i Amerikës: Gjatë luftrave ballkanike të viteve ’90 Tomislav Nikoliç ishte nënkryetar i Partisë Radikale serbe. Tani ai pretendon se është transformuar në një populist pro-Bashkimit Evropian. A besoni se ai ka ndryshuar?

Daniel Serwer: Nuk di në se ai ka ndryshuar, apo jo, unë nuk e kam takuar atë kurrë, por mund t’ju them se politikanët bëjnë atë për të cilën ata mendojnë se duhet bërë për t’u zgjedhur dhe rizgjedhur. Dhe pres që edhe një politikan demokrat si Nikoliç të bëjë të njëjtën gjë. Për mua mbetet e paqartë, në se Serbia është e përgatitur të bëjë sakrificat e nevojshme për t’u anëtarësuar në BE. Në se Nikoliç bën këtë, nuk dua t’ja di në se ai ka ndryshuar apo jo. Në se sjellja e tij ndryshon, kjo më mjafton. Unë mendoj se politikanët duhen gjykuar nga veprat dhe jo nga fjalët.

Zëri i Amerikës: Para zgjedhjeve, Kosova dhe Serbia filluan procesin e negociatave, me disa rezultate konkrete. A mendoni se zoti Nikoliç do të jetë i hapur për ta vazhduar këtë proces?

Daniel Serwer: Në se ai nuk e bën një të tillë, do të kishte reagime nga Prishtina, nga BE-ja dhe SHBA-ja. Dera për të është e hapur. Në se ai nuk do të hyjë përmes saj, kjo do të kishte ndikim tek marrëdhëniet e Perëndimit me Serbinë, për këtë nuk ka asnjë asnjë dyshim.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë ekziston perceptimi, se zgjedhja e Nikoliçit nuk ka ndryshuar gjë në pozicionin e Serbisë ndaj Kosovës. Cili është mendimi juaj?

Daniel Serwer: Në se ne i gjykojmë njerëzi nga ato që bëjnë dhe jo nga ato që thonë, unë do të prisja për të parë në se ka ndonjë ndryshim apo jo. Shpresa ime se Nikoliçi do t’i ruajë ambiciet e evropiane të Serbisë, do ta njohë rëndësinë për përmirësimin e marrëdhënieve me Prishtinën dhe do të vazhdojë po me këtë rrugë, por në se ai zgjedh një tjetër drejtim, SHBA dhe Evropa do të duhet të marrin vendime si të reagojnë. Politika është një biznes i vështirë, madje edhe Tadiç nuk po bënte shumë për zbatimin e marrëveshjeve me Prishtinën. Nikoliçi mund të ketë pushtetin e nevojshëm tek forcat nacionaliste për të bërë gjëra të cilët për Tadiçini ishin të vështira. Le të presim e të shohim se çfarë do të bëjë ai.

Zëri i Amerikës: Nacionalizmi ka shkaktuar shumë luftra në Ballkan. A rrezikon që zgjedhja e zotit Nikoliç të nxisë lindjen e ndjenjave nacionaliste në vende të tjera ballkanike?

Daniel Serwer: Po, mendoj se është tepër e rrezikshme. Nacionalistët gjithmonë kanë inkurajuar njëri tjetrin. Nikoliç është nacioanlist, ai mund të ketë simpati për Daçiçin dhe pikëpamjen e tij se Serbia duhet ta mbajë veriun e Kosovës. Kjo do të inkurajonte ekstremistët në Kosovë, të cilët do të thonin se pavarësia nuk është reale, duhet të kemi një pavarësi të vërtetë, kjo mund të përfshinte mundësinë për të sjellë Preshevën në Kosovë dhe bashkimin me Shqipërinë... Natyrisht, nacionalistët inkurajojnë njëri tjetrin, kemi të bëjmë me një polarizim reciprok që mund të jetë tepër i rrezikshëm. Ne e pamë këtë gjë në vitet ’90 dhe do të ishte shumë keq të rishfaqej përsëri. Por sot ka një kundërpeshë për nacionalistët në Evropë dhe kjo është Evropa. Shpresoj se gjithkush që ka shkuar në Evropë, madje edhe në atë të sotmen që ndodhet në krizë, e pranon se do të ishte shumë më mirë në Evropë, se sa jashtë saj.​

Trego komentet

XS
SM
MD
LG