Lidhje

Serwer: Takimi Jahjaga-Nikoliç, simbolik por i rëndësishëm


Përsa i përket veriut të Kosovës, zoti Serwer parashikon se atje do të vihet në jetë 100 % Plani Ahtisaari

Eksperti për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se takimi i djeshëm mes Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliç, ishte simbolik por i rëndësishëm. Dr. Serwer, i cili punon në Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Përparuara Ndërkombëtare në Uashington, i tha kolegut tonë Ilir Ikonomi se njohja e Kosovës nga Serbia nuk do të vonojë, por kryesorja për Kosovën është qeverisja e mirë.

Daniel Serwer, ka përvojë në lehtësimin e dialogut mes shqiptarëve dhe serbëve. Ai mendon se në këtë dialog, disa gjëra vërtet janë simbolike por jo pa rëndësi:

"Fakti që Serbia takohet me Kosovën mbi baza të barabarta, në mënyrë plotësisht reciproke dhe simetrike, ka shumë rëndësi. Mendoj gjithashtu se zonja Jahjaga është një simbol shumë i mirë i Kosovës, simbol i rendit dhe i ligjit. Ajo përfaqësohet mirë. Përsa i përket palës shqiptare, ose më mirë palës kosovare, njerëzit që i binden qeverisë së Prishtinës janë të kënaqur me atë që ndodhi, edhe pse zoti Nikoliç tha gjëra që ata nuk mund t'i pranojnë."

Zoti Serwer thotë se në dy krahët ka elementë që janë kundër bisedimeve, por nuk e shikon këtë si diçka shqetësuese.

"Kjo është absolutisht normale. Të dyja palët duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën për të qetësuar elementët ekstremistë. Prandaj mua nuk më shqetëson ajo që tha zoti Nikoliç. Atij i duhet t'i thotë këto gjëra për të kënaqur nacionalistët e tij ekstremistë. Edhe zonjës Jahjaga iu desh të theksonte me forcë se Kosova është e pavarur dhe sovrane për të kënaqur të sajët. Kjo është diçka e kuptueshme dhe normale."

Zoti Serwer thotë se gjërat mes Prishtinës dhe Beogradit po shkojnë më mirë se sa shumë prej vëzhguesve e kishin parashikuar. Ai mendon se ka rëndësi që njerëzit të kuptojnë arsyen përse po ndodh kështu.

"Kjo nuk ka të bëjë fare me Beogradin dhe Prishtinën, por me Berlinin. Është Berlini ai që po ngul këmbë që Serbia të zgjidhë problemin e veriut të Kosovës, përpara se të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse bashkë me anëtarësimin vijnë edhe paratë. Janë paratë ato që kanë rëndësi, pasi Kryeministri Daçiç ka nevojë të domosdoshme për fonde. Pra, ka një lojtar tjetër në prapaskenë dhe ky lojtar është Kancelarja gjermane Angela Merkel. Ajo po luan mirë dhe po luan në një mënyrë që e forcon mjaft pozitën e Prishtinës."

Zoti Serwer nuk shikon ndonjë logjikë që Serbia të mos e njohë Kosovën.

"Besoj se Serbia një ditë do të gjykojë me gjakftohtësi dhe do t'i thotë vetes se kjo është një popullatë që ne nuk mund të pretendojmë se mund ta qeverisim, se Kosova është në fakt një shtet sovran me institucionet e veta dhe me forcën e vetë të sigurisë. Përse të gënjejmë veten? Përparësia jonë është të hyjmë në Bashkimin Evropian dhe të hyjmë shpejt."

Zoti Serwer mendon se në fillim Serbia do të tërhiqet dhe do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, gjë që, sipas tij, mund të ndodhë relativisht shpejt. Por ai thotë se njerëzit në Kosovë nuk duhet të shqetësohen shumë për këto. Sipas tij, gjëja kryesore për Kosovën është të qeverisë mirë. Kjo do të thotë të qeverisë mirë të gjithë popullatën. Sa më shumë që institucionet e Kosovës të bëhen gjithpërfshirëse, aq më mirë do të jetë Kosova.

Përsa i përket veriut të Kosovës, zoti Serwer parashikon se atje do të vihet në jetë njëqind për qind Plani Ahtisaari.

"Për arsye që unë ende nuk i kuptoj, Serbia është shumë e lidhur me veriun, edhe pse atje nuk jeton pjesa më e madhe e komunitetit serb të Kosovës dhe nuk ka monumente apo manastire serbe. Veriu do të qeveriset në bazë të Planit Ahtisaari."

Natyrisht, thotë eksperti Daniel Serwer, në Prishtinë ka njerëz që janë kundër kësaj, por ata nuk përbëjnë shumicë.

XS
SM
MD
LG