Lidhje

Serwer: Marrëveshja është ende e mundur

  • Keida Kostreci

Eksperti Daniel Serwer thotë se deri në mes të prillit ka ende kohë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje. Ai tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës, se mungesa e një marrëveshjeje do të shkaktonte probleme për të dyja vendet lidhur me perspektivën e integrimit evropian, por shtoi se pasojat do të ishin më të rënda për Serbinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje dje në Bruksel dhe pas takimit shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Katherine Ashton tha se mosmarrëveshjet mes dy vendeve janë të ngushta por të thella. A mendoni se marrëveshja është e mundur dhe cilat do të ishin hapat e mëtejshme sipas mendimit tuaj?


Daniel Serwer: Mendoj se një marrëveshje është e mundur por besoj se Zonja Ashton do të kërkojë që thjesht të pritet. Në Ballkan kurrë nuk është rënë dakord përveçse në çastin e fundit. Zonja Ashton ka kohë deri nga mesi i prillit për të paraqitur raportin e saj mbi bisedimet. Prandaj asaj do t’i duhet të presë që palët të mendojnë mirë për atë që është në tryezë dhe të shohë nëse palët do t’i pranojnë ato. Siç e kuptoj unë situatën, duket se Beogradi e ka më shumë problem ta pranojë atë se sa Prishtina. Kjo duket nga fakti se zoti Thaçi ka bërë komente më optimiste sepse kur një zëvendëskryeministër i pales tjetër thotë do të japë dorëheqjen, ky nuk është një koment optimist.

Zëri i Amerikës: Sipas njoftimeve të shtypit, zoti Thaçi kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës, në bisedimet e djeshme si kusht për vazhdimin e mëtejshëm dhe për një marrëveshje, gjë që Serbia e refuzoi. A mendoni se një kërkesë e tillë është realiste në këtë moment?

Daniel Serwer: Mendoj se ajo që është realiste të shpresohet është që Serbia t’i jape fund fushatës kundër njohjes dhe pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Nuk pres që Beogradi ta njohë menjëherë Kosovën, por nuk mund të kesh marredënie normale fqinjësie kur bën fushatë kundër fqinjit.

Zëri i Amerikës: Nëse nuk do të ishte e mundur të arrihet një marrëveshje, cilat do të ishin pasojat për të dyja vendet, ndërkohë që dihet që për të dyja integrimi në Bashkimin Evropian është i rëndësishëm për të ardhmen?

Daniel Serwer: Pasojat për Serbinë janë mjaft dramatike, sepse ajo po pret datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Me sa kuptoj, bashkë me këtë date, Serbia shpreson të marrë edhe financime të rëndësishme për procesin e anëtarësimit. Përsa i përket Kosovës, shqetësimi mund të ishte se Bashkimi Evropian do të ngadalësonte procesin e heqjes së vizave dhe bisedimet për marrëveshjen e Asocim Stabilizimit mund të mos fillojnë menjëherë. Këto janë problem për Kosovën. Por ato janë shumë më pak të mprehta se sa problemet që do të kishte Serbia nëse marrëveshja nuk arrihet.

Zëri i Amerikës: A mendoni se nëse marrëveshja nuk arrihet, marrëveshjet e deritanishme për të cilat të dyja vendet kanë rënë dakord rrezikohen?

Daniel Serwer: Po, ekziston një fare rreziku. Të gjitha problemet politike në Ballkan janë sikur nget biçikletën, duhet të vazhdosh t’i japësh pedalit përndryshe biçikleta rrëzohet. Pra, ekziston rreziku që keqësimi i marrëdhënieve ta bënte mjaft të vështirë realizimin e marrëveshjeve të tjera.

Secila prej palëve është kthyer në vendin e vet dhe po shqyrton alternativat. Të dyja qeveritë ndodhen para zgjedhjeve, zoti Thaçi diçka më herët ndërsa Serbia jo domosdo shumë shpejt por ka patur zëra për zgjedhje të parakohshme. Të dyja palët do të duhet të mbajnë parasysh se çfarë u intereson më shumë që të mund të qëndrojnë në pushtet. Nuk mund të parashikoj dot se si do të përfundojë kjo. Por mund të them se për palën serbe ekziston nevoja e madhe për të marrë një date për fillimin e negociatave të anëtarësimit dhe nëse ata e humbin këtë rast, kjo do ta shtynte procesin për një kohë të gjatë, të paktën disa vjet ose edhe më shumë. Pra, nëse ata bëjnë fushatë kundër BE-së për Kosovën, kjo do t’ua mbyllte derën e Bashkimit Evropian për një kohë të gjatë.

Zëri i Amerikës: Në disa qarqe ekziston perceptimi se Serbia ka bërë deri tani më shumë lëshime sesa Kosova përsa i takon qëndrimeve ndaj një marrëveshjeje. Cili është mendimi juaj?

Daniel Serwer: Të them të vërtetën, platforma serbe për bisedimet ngrihet mbi pretendimin serb për sovranitet mbi të gjithë Kosovën. Presidenti e përsëriti këtë pretendim kur u takua me Presidenten e Kosovës. Natyrisht, ka raste kur Beogradi tingëllon disi më pranues ndaj gjërave, por qëndrimi i tyre bazë mbetet i njëjtë: se e gjithë Kosova është pjesë e Serbisë dhe se nuk ka arsye që ata të heqin dorë nga ky pretendim. Pikëpamja ime është se, përsa kohë ata vazhdojnë me këtë pretendim, do të jetë shumë e vështirë të përfytyrohen marredënie normale të fqinjësisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG