Lidhje

Serwer: Deklarata e Ramës në Serbi nuk është provokim

  • Keida Kostreci

Eksperti amerikan, Daniel Serwer, një studiues i çështjes së Ballkanit thotë se vizita e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Serbi është diçka e natyrshme dhe pozitive dhe se dy vendet prej kohësh nuk kanë pasur probleme madhore dypalëshe mes njëra-tjetrës, përveç mospajtimit për Kosovën. Duke iu referuar konferencës së shtypit të së hënës dhe shkëmbimit për Kosovën, zoti Serwer tha se është e qartë që kryeministrat Rama dhe Aleksandër Vuçiç kanë qëndrime të kundërta për Kosovën. Zoti Serwer tha se të dyja vendet duhet të jenë gjendje të kenë mosmarrëveshje të tilla dhe njëkohësisht të bashkëpunojnë për çështje të interesit të ndërsjellë.

Zoti Serwer tha se qëndrimi i zotërinjve Rama dhe Vuçiç është është i ditur pavarësisht nëse e thonë apo jo në një konferencë për shtyp.

“Ajo që tha Edi Rama në Kosovë, është diçka që shumë udhëheqës të huaj i kanë thënë Serbisë privatisht. E veçanta në këtë rast është që u tha publikisht. Kryeministrit të Serbisë i duhej të përgjigjej ashtu siç u përgjigj, sepse Serbia nuk e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ose që të jemi më të saktë nuk njeh sovranitetin e Kosovës, se në fakt e ka njohur që nga marrëveshja e prillit 2013 integritetin territorial të Kosovës”.

Zoti Serwer tha se nuk e konsideron provokim atë që tha zoti Rama

pasi është një qëndrim që e kanë shprehur edhe Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Zoti Serwer tha se është e rëndësishme për udhëhequr të zgjedhur në rrugë demokratike të deklarojnë qëndrimet e tyre hapur në publik.

Ai shtoi se me deklaratat e tyre, dy kryeministrat po i drejtoheshin dy audiencave të tyre të brendshme dhe komunitetit ndërkombëtar.

“Ajo që më shqetëson mua është që lejojnë që këto qëndrime lënë në hije çështje më pragmatike që mund të sjellin përfitime të qenësishme ekonomike për popullsitë e tyre. Mendoj se ata duhet të jenë në gjendje që të shprehin pozicionet e tyre të ndryshme dhe njëkohësisht të gjejnë fusha ku të kenë një emërues të përbashkët për çështje më praktike”.

Sipas tij, do të kishte qenë më mirë që dy kryeministrat të përqendroheshin në çështje si për shembull nëse do të kompletohet rruga që shkon tani nga Durrësi në Prishtinë, deri në Nish, si edhe çështje të tjera të përfitimit dypalësh.

“Shtetet me pjekuri politike, i gjejnë mënyrat për t’u shërbyer interesave të qytetarëve të tyre me gjithë mosmarrëveshjeve të thella”.

Përsa i takon Serbisë, zoti Serwer përsëriti qëndrimin e tij se do të ishte në të mirë të Serbisë dhe të rrugës së saj evropiane, ta njohë Kosovën sa më parë, megjithatë ai shton se është në të drejtën e saj si vend që të mbajë qëndrimin e vet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG