Lidhje

Serwer: Incidenti në Beograd, shenjë e nacionalizmit


Incidentet në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri dhe grafitet në manastirin e Deçanit tregojnë se ndjenjat nacionaliste panshqiptare dhe panserbe ende ekzistojnë, thotë analisti Daniel Serwer.

Incidentet në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri dhe grafitet në manastirin e Deçanit tregojnë se ndjenjat nacionaliste panshqiptare dhe panserbe ende ekzistojnë, thotë Daniel Serwer, analist i çështjeve të Ballkanit, në një intervistë për shërbimin serb të Zërit të Amerikës. Ai thotë se këto ndjenja nacionaliste janë të pranishme në një pjesë shumë të vogël të popullsisë shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi. Edhe në mesin e një pjese të vogël të popullsisë serbe në Bosnje, Serbi dhe Kroaci ka ndjenja nacionaliste etnike, thotë zoti Serwer.

“Pra të dy etnicitetet kanë një rrymë të nacionalizmit etnik që unë do ta quaja nacionalizëm etnik territorial. Unë nuk kam asnjë kundërshtim ndaj njerëzve të cilët pranojnë se kanë një kulturë dhe gjuhë të përbashkët. Kjo nuk është aspak e kundërshtueshme. Ne kemi gjuhë të përbashkët me Kanadanë, Britaninë, pra nuk ka asgjë të keqe këtu. Por problemet krijohen kur njerëzit sfidojnë marrëveshjet politike dhe përpiqen të rikonfigurojnë kufijtë për të akomoduar dallimet etnike. Kjo është shumë destabilizuese”.

Zoti Serwer thotë se shumica e njerëzve në të gjitha këto vende të Ballkanit janë më shumë të interesuar për vendet e punës se sa për formën e një flamuri që fluturoi mbi një stadium futbolli ose përmbajtjen e grafiteve në manastirin e Deçanit. Pavarësisht se këto janë gjëra ofenduese, ato bëhen nga një pjesë shumë e vogël e popullatës.

Në lidhje me çështjen e qytetarëve të vendeve të Ballkanit që kanë shkuar të luftojnë me ekstremistët islamikë në Siri dhe Irak, zoti Serwer thotë se kjo nuk është e lidhur vetëm me problemet ekonomike. Ai thotë se gjithmonë do të ketë një joshje islamike për myslimanë të moshës shumë të re, ndoshta jo të arsimuar mirë, në Ballkan. Numri i atyre që po luftojnë në Siri dhe Irak është shumë i vogël, por qeveritë në Kosovë, Bosnje dhe Serbi po përpiqen shumë për të parandaluar shkuarjen e tyre në Siri dhe Irak. Kjo nuk është e lehtë. Qeveritë e Ballkanit duhet të jenë vigjilente në përpjekjet për të mos lejuar që qytetarët e tyre të shkojnë në Siri dhe Irak.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG