Lidhje

SETI në përgjim të hapësirës


SETI në përgjim të hapësirës
SETI në përgjim të hapësirës

Instituti SETI që merret me kërkimin e inteligjencës njerëzore jashtëkësore duhej të mbyllte dyert në fillim të këtij viti për shkak se po i mbaroheshin fondet. Por tani, në sajë të donacioneve të miqve dhe dashamirësve përmes internetit, ai do të vazhdojë punën. SETI ka grumbulluar rreth një çerek milioni dollarë për të kënaqur gjahtarët e UFO-ve.

Kërkimi i jetës jashtëtokësore gjithnjë i ka intriguar njerëzit. Për astronomët e SETI-t, Institutit që merret me kërkimin e inteligjencës jashtëtokësore, personazhi ET nuk është thjesht një pjellë e imagjinatës së regjisorit Steven Spielberg.

Përkundrazi, është një përpjekje serioze.

Teleskopët radioastronomikë në malet e largëta të veriut të Kalifornisë skanojnë pa pushim hapësirën për të gjetur forma të tjera të jetës. Janë 42 teleskopë në Pyllin Kombëtar Lassen, 500 kilometra në veri të San Franciscos, që presin të dëgjojnë ndonjë lajm nga hapësira.

Ky është një mision i shtrenjtë. Buxheti vjetor për teleskopët arrin në 2.5 milion dollarë. Në fillim të këtij viti institutit iu mbaruan fondet dhe u mbyll për pesë muaj.

Por në sajë të mijëra donatorëve në internet, fushata me emrin "SETI Stars" arriti të grumbullojë 230.000 dollarë.

Ky ishte një rezultat mbresëlënës, thotë drejtorja e SETI-t, Jill Tarter:

"Ishte një fushatë e mrekullueshme. Në 45 ditë u arriti të grumbullohen deri në 200.000 dollarë financime. Kjo do të na ndihmojë të dalim nga letargjia dhe të vazhdojmë punën për disa muaj. Menaxhimi i këtij teleskopi është shumë i shtrenjtë, pak më shumë se një milion dollarë në vit. Pra, ne duhet të kërkojmë kontrata të tjera për të paguar faturat dhe të kërkojmë ndihmë të mëtejshme nga publiku."

Tani teleskopët janë përsëri në funksionim dhe kërkimi i inteligjencës jashtëtokësore vazhdon.

Komanda e Hapësirës e Forcës Ajrore amerikane ka rënë gjithashtu dakord të përdorë teleskopët për të vëzhguar hapësirën.

Drejtorja e SETI-it, Tarter, thotë se synimi tjetër është ngritja e një komuniteti mbështetës për ta vazhduar këtë punë të mirë:

"Kjo është një mundësi për individët që të marrin pjesë në punën tonë, në kohë reale, për shembull, duke na ndihmuar të shkruajmë algoritmet e reja për zbulimin e sinjalit."

Për t’i vënë teleskopët përsëri në punë duhen disa javë, edhe mirëmbajtja nuk është e lehtë, thotë astrofizikani Gerry Harpa:

"Antenat janë pajisje të mëdha mekanike, kanë ingranazhe të mëdha që i ndihmojnë të lëvizin në të gjitha drejtimet. Na duhet që t’i mbajmë ingranazhet të grasatuar dhe të vajisur siç duhet. Dhe këtë bëmë, i kontrolluam antenat me radhë para se t’i rivinim në punë.”

Kërkimi për shenja të inteligjencës jashtëtokësore duke përgjuar hapësirën e pafund, mbi të gjitha kërkon durim. Tani për tani, detyra e tyre është të presin, të vëzhgojnë dhe të dëgjojnë.

XS
SM
MD
LG