Lidhje

Koreja e Jugut, thirrje Kinës të përmbajë Korenë e Veriut

  • Zëri Amerikës

Koreja e Jugut, thirrje Kinës të përmbajë Korenë e Veriut

Koreja e Jugut, thirrje Kinës të përmbajë Korenë e Veriut

Presidenti jugkorean Li Mjung-bak po i bën thirrje Kinës ta përmbajë Korenë e Veriut, pas një sulmi vdekjeprurës koreanoverior ndaj një ishulli jugkorean. Zyra e Presidentit tha se i kishte thënë një zyrtari të lartë kinez që kishte vizituar vendin se Pekini duhet të veprojë me drejtësi dhe më me përgjegjësi kur çështë fjala për Korenë e Veriut. Zyra e Presidentit tha po ashtu se zoti Li e ka paralajmëruar Seulin se do të reagojë “me forcë” ndaj një provokacioni tjetër të Veriut.

Më parë, Koreja e Jugut dhe Japonia i dhanë një përgjigje të rezervuar Kinës, e cila bëri thirrje për bisedime urgjente për lehtësimin e tensioneve në gadishullin korean, ku forcat amerikane dhe ato jugkoreane filluan manovrat detare. Koreja e Veriut i dënoi manovrat. Diplomati i lartë kinez Ue Dauei u bëri sot thirrje krerëve të delegacioneve të 6 vendeve që marrin pjesë në bisedimet për çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut të takohen në fillim të dhjetorit, për të shkëmbyer mendime lidhur me çështje shqetësuese, siç u shpreh ai.

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut tha se Seuli do ta shqyrtojë me kujdes ftesën e Kinës, për shkak të shqetësimeve lidhur me njoftimin kohët e fundit nga Koreja e Veriut se po ndërton një objekt të ri për pasurimin e uraniumit. Agjencia japoneze e lajmeve Kiodo citoi nënsekryetarin e kabinetit të ketë thënë se Tokio do të shqyrtojë me rezerva, idenë për bisedime emergjente në bashkëpunim me Seulin dhe Washingtonin.

Kina është ndeshur me trysninë diplomatike nga SHBA dhe aleatët, për kufizimin e Koresë së Veriut pas sulmit me bombë nga Koreja e Veriut në një ishull jugokorean të martën e kaluar. Kina, prej një kohe të gjatë ka vepruar si aleate kryesore e Koresë së Veriut, fqinji i saj i varfër. Forcat e marinës amerikane dhe jugkoreane morën sot pozicione në brigjet e gadishullit korean në pjesën perëndimore të tij, për një manovër të përbashkët 4-ditore që synon të pengojë sulmet e Koresë së Veriut.

XS
SM
MD
LG